Film

Xhaxhai – Oskarët 2017 (9)

Derisa Janelle Monae ka qenë emri që ka shpërthyer vitin e kaluar në mesin e aktoreve, këtë vit këtë epitet tek meshkujve do t’ia jepja Mahershala Ali. ‘Moonlight’, ‘Hidden Figures’ e edhe ‘Free State of Jones’; pa harruar edhe serialet ‘Luke Cage’ dhe sigurisht ‘House of Cards’, e kanë bërë 2016tën vitin e Mahershala Ali.

Do të ishte normale, bile mos të them edhe imperativ që Mahershala Ali të fitoj në kategorinë për aktorin më të mirë dytësor. I vetmi konkurrent i denjë do të duhej të ishte Jeff Bridges. Ai veçse ka fituar Oskar, e edhe kah nominimet nuk është keq. Tek ‘Hell or High Water’ shkëlqen, jo sikur tek ‘Crazy Heart,’ apo ‘True Grit,’ por s’është larg. Këtu është më i relaksuar, më i qetë në punën e tij prej detektivi. Edhe Dev Patel tek ‘Lion’ ka një paraqitje të bukur. As ky nuk e ka paraqitjen e karrierës së tij, por nuk mbetet mbrapa më të mirave të tij, qofshin edhe ato tek ‘Newsroom’ i HBO-së.

Dy paraqitje mbresëlënëse kanë pasur Michael Shannon e Lucas Hedges. Derisa të dytë janë veçanërisht të shkëlqyeshëm në mishërimin e karaktereve të tyre, unë do të veçoja atë të Hedges i cili ka një karakter më të vështirë, më të rëndë për të sjell në jetë. Është aq real karakteri i tij sa që të bën të mendosh se vet ai po përjeton ngjarjen njëmend.

Titulli këtu do të duhej të shkonte tek Ali. Tek kategoria e aktorit më të mirë në rol kryesor tek Affleck. Casey Affleck.

Edhe pse kjo është kategoria më e barabartë në Oskarët e sivjetmë ku të gjithë meritojnë Oskarin për aktorin më të mirë në rol kryesor, unë do të shkoja me Affleckun, pasi njëjtë sikur Lucas Hedge, përpihet në karakterin e tij i cili është edhe karakteri më i zorshëm i sjell në ekran këtë vit. Ndoshta Jackie ka pasur më shumë presion për Natalie Portman, por ajo ka pasur një mentor, ka parë karakterin të cilin është duhur të gjallëronte. Affleck ka krijuar atë!

Aktrim të shkëlqyeshëm ka edhe Denzel Washington. Asgjë nuk lë jashtë aktrimit të tij më të mirë, dhe paraqitja në këtë film do të mbetet në mesin e paraqitjeve më të mira të tij për kohë të gjatë. Por, megjithatë për mua mbetet mbrapa Affleckut.
I mirë është edhe aktrimi i Andrew Garfield tek ‘Hacksaw Ridge’. Në të njëjtin nivel është edhe Ryan Gosling edhe pse në një ambient krejt tjetër. Karakteret e tyre janë nga dy botë krejt të ndryshme, janë dy universe krejt ndryshe, origjinale. Dhe që dyja paraqitjet meritojnë Oskar. Por, është një kategori e vështirë për tu fituar këtë vit. Mbetet të shohim.