Recensime Filmash

Wild (2014) – Recensim

Në vitin 1995, Cheryl Strayed vendos të ecën, bëj ‘hiking’ më shumë se 1500km përgjatë rrugës e njohur edhe si Kreshta e Paqësorit, me qëllim që të shëroj veten pas divorcit, një tragjedie tjetër familjare, dhe sjelljeve vetshkatërruese gjatë viteve të kaluara. Kjo është tema e filmit ‘Wild’ të cilin disa filmdashës në shikim të parë e ngjasojnë me ‘Into the Wild’. Por, nuk janë të njëjtë, dhe më shumë se rival janë plotësues për njëri tjetrin.

Tregimi ndryshon nga ‘Into the Wild’ për shumë arsye. Derisa tek ky i fundit kemi një udhëtim protestues ndaj realitetit, botës moderne, tek ‘Wild’ tregimi është më ndryshe. Cheryl është e dëshpëruar me ato që ka bërë dhe që i kanë ndodhur, dhe si mënyrë për tu përballur me tragjedinë dhe sjelljet e saja të mëparshme vendos të marr këtë udhëtim që sjell pamje dhe skena magjepsëse përgjatë tërë filmit. Tema e tregimit është bazuar në ngjarje të vërtetë, në historinë personale të Cheryl Strayed, derisa realizohet për mrekulli nga Jean-Marc Vallee, i cili personalisht më ka kënaqur me veprat e tij të mëparshme si ‘Young Victoria’ dhe ‘Dallas Buyers Club’.

Vallee siç duket ka një aftësi të nxjerr maksimumin nga aktorët me të cilët punon. Kështu ai sjell një Reese Witherspoon në nivelin më të lartë të aktrimit, diçka që nuk është risi në filmat ku vjen në rolin kryesor. Ajo është e mahnitshme përgjatë tërë filmit, me tregimin që evoluon historinë e saj në skenat që vijnë si shkëndija kohë pas kohe, dhe udhëtimin i cili nuk del të jetë aspak i lehtë, por mjaft shpërblyes. Filmi nis me Cheryl e cila heq një thua nga këmba e saj, që është shenja e parë se filmi nuk do të jetë një rrugëtim që do të kënaq sytë me pamje të bukura natyrore. Sigurisht nuk mungojnë as ato skena të bukura.

Laura Dern vjen në rol dytësor në rolin e nënës së saj, e cila është një inspirim për jetën e Cheryl, një inspirim i harruar gjatë periudhës së jetës së saj për të cilën duket se është penduar dhe provon ta harroj me anë të këtij udhëtimi. Këto skena vetëm sa na lidhin me karakterin e saj, emocionalisht, duke na bërë të mbetemi prezent dhe të lidhur me të deri në fund të filmit.

‘Wild’ sjell një aventurë interesante të Reese Witherspoon, duke u shndërruar edhe në një film të suksesshëm të Vallee. Ajo çfarë vlen të theksohet dhe që ofron një kënaqësi të veçantë përgjatë tërë filmit, është muzika me këngët e përzgjedhura për mrekulli që përputhen me periudhën dhe ngjarjet në të cilat kalon karakteri i Cheryl. Nota personale: 4/5.

Luan Morina

Kritik filmi