Seriale

The White Princess – Sezoni 1

Nuk e kam parë ‘The White Queen’. As ‘The Crown’! Duhet ti shoh!

Ndërkohë s’kam dashur të humb kohë pa parë edhe ‘The White Princess’. Ky serial nis pas ‘The White Queen’, me princeshën Elizabetën e Jorkut, të bijën e ‘Mbretëreshës së Bardhë’ dhe martesën e saj me Henryn e Shtatë. Pra, është një martesë e detyruar për stabilitetin e Mbretërisë Angleze, stabilitet që bie mbi shpatullat e vet Elizabetës.

Seria prej tetë episodeve e bazuar në librin e Philippa Gregory që paralajmëron se shmanget nga ngjarjet e vërteta, sjell atë që edhe pritet të ofroj – një karakter qendror femër që dominon tregimin. Nuk është një karakter kokëfortë fund e krye. Përkundrazi, vërejmë një transformim në karakterin e Princeshës e cila nis nga një martesë e detyruar, me të vetmin qëllim – hakmarrjen në bashkëshortin e saj.

Tregimi bëhet interesant kur nënat e të dyve kanë ide ndryshe nga mbreti e mbretëresha tani. Kjo sikur shtyn të dy drejt një bashkimi jo edhe aq të lehtë të planeve të çiftit mbretëror. Në anën tjetër është pretenduesi i fshehur për mbret, Franca, e edhe armiq tjerë të brendshëm. Janë shumë frone që sfidojnë këta dy, gjë që e mban serinë të lëviz çdo episod në beteja të reja, jo patjetër luftarake.

Harmonia në skenë e Jacob Collins-Levy, dhe Jodie Comer – asnjëri jo shumë i njohur me përvojën e tyre paraprake në tituj të popullarizuar, zhvillohet ashtu siç lypet nga ta. Ajo ndryshon me kalimin e kohës. Megjithatë, Jodie Comer puthit rolin ashtu siç kërkohet nga ajo duke u kthyer në një lidere të paprekur, ashtu siç edhe do të prisnim nga kjo seri.

Michelle Fairley – e njohur për rolin e nënës Stark, vjen si nëna e mbretit, dhe pak nga pak shter atë mërzinë që kemi për të nga ‘Game of Thrones’. Në rol edhe më negativ është Essie Davis si nëna e princeshës, dhe njëjtë si të tjerët është në mesin e fytyrave jo shumë të njohura.

‘The White Princess’ mbetet një seri mirë e realizuar, që përshtatet me titullin e serisë. Ata që kanë parë seritë që përmenda në fillim mund të gjejnë ndonjë të metë në krahasim me to, por, si seri në vete, është kualitet i kënaqshëm. Nota personale: 4/5