Filma Recensime Filmash

Whiskey Tango Foxtrot (2016) – Recensim

whiskey tango foxtrot

Imazhi i Tina Fey si dikush që gjithnjë të bën të qeshësh sigurisht është i krijuar në mendjen e shumicës që kanë përcjell SNL e 30 Rock. Mirëpo, që jeta nuk është vetëm të qeshura e dëshmon edhe Tina Fey e cila arrin të mbërthej të dy anët e njeriut në të njëjtin film. Për më tepër ajo sjell edhe luftën nga sytë e atyre që e sjellin atë para syve tanë.

Pra, WTF nuk është vetëm komedi me ngjarje qesharake nga jeta e Kim Baker derisa punonte në Afganistan, ashtu siç ka qenë përshtypja ime e parë. Është një biografi goxha personale që përfshin një periudhë të caktuar profesionale në jetën e karakterit kryesor. Tregimi arrin të mbështjellë në të njëjtën sarme të gjitha problemet dhe të mirat eventuale të jetës së një reportereje në një ambient jostabil paslufteje.

Kim vendoset të raportoj nga Afganistani në kërkim të diçkaje të re nga karriera e saj, provon të mbaj në nivel punën e saj, të mbijetoj në botën e gazetarisë, dhe në botën reale. Provon të kuptoj ndryshueshmërinë e botës, të ndryshoj për të mirë atë në mënyrën e saj – duke transmetuar atë tek sytë e të tjerëve. Në këtë mision ajo ndihmohet goxha shumë nga karakteri lokal – Fahim.

Gjatë periudhës së saj në Afganistan ajo ka punë me kolegët e saj, Tanja dhe Iain, karaktere të jetësuara nga Margot Robbie e Martin Freeman. Prezent janë edhe një nëpunës vendas që vjen nga Alfred Molina, dhe një gjeneral që vjen nga Billy Bob Thornton. Që të gjitha janë karaktere që kanë të përzier komedinë e dramën, pos karakterit të Molinas i cili na sjell kryekëput vetëm pjesë komike, deri në një masë.

Në këtë dramedi biografike, aktrimi është në nivel me atë që kërkohet. Kuptohet që gjithçka rrotullohet rreth Tina Fey. Nuk dëshpëron as puna pas kamerave e Glenn Ficarra e John Fuqua, të cilët së fundmi i kemi parë tek ‘Focus’.

Si përfundim, Whiskey Tango Foxtrot sjell një tregim goxha real të një gazetare në një ambient si Afganistani. Arrin të mbërthej komedinë me dramën me sukses. Por, pikërisht kjo e bën atë vetëm një film mesatar me emocione të përziera. Sidoqoftë, është një punë e mirë nga të gjithë të përfshirët. Nota personale: 3/5

Luan Morina
Kritik filmi