Film

Vizatime burgu – Oskarët 2017 (5)

Prej më të mençurve janë ata që me pak fjalë tregojnë shumë. I tillë është edhe filmi ‘The Red Turtle’. Fare pa dialog, filmi tregon aventurën e një të ngujuari në një ishull. Është i mbushur me art të animuar, diçka e zakonshme për filmat e Studio Ghibli e cila studio megjithatë ka pak kontribut edhe në këtë film. Gjithashtu siç është e zakonshme për këtë studio, edhe ky film është i përfshirë në garën për Oskar, por nuk e shoh si favorit.

Favorit duhet të ishte ‘Kubo and the Two Strings.’ Filmi sjell një tregim fiktiv, të çuditshëm, dhe mbi të gjitha mirë të përpunuar. Është konkurrenti kryesor me ‘Zootopia’ e cila edhe pse është shfaqur herët nëpër kinema, ka pasur goxha inovacion, i cili është jetësuar me përpikëri në një botë ku kafshët janë njerëz. Nuk është në nivelet e fituesit të vitit të kaluar, ‘Inside Out.’

Që të tre këta që përmenda nuk do të ishin befasi po të merrnin titullin, favoriti im mbetet Zootopia, para Kubos, dhe The Red Turtle.

Mbi 5% e popullatës amerikane gjendet në burgje. Të burgosurit në SHBA përbëjnë 25% e të burgosurve në rruzullin tokësor. Kështu nis filmi ‘13th’ i cili duket të jetë favorit i pakontestueshëm në garën për dokumentarin më të mirë. Ka shumë arsye, por mbi të gjitha është momenti në shoqërinë amerikane që një fitore të këtillë do ta shihte shenje rezistence ndaj pushtetit të tashëm. Jo që filmi nuk është i mirë. Por, ka përparësi tjera të cilat do të mund të shfrytëzoheshin edhe nga filmat tjerë të cilët kanë regjisor me ngjyrë. Ava DuVarneay i kanë borxh një Oskar për ‘Selma’.

Derisa ‘13th’ është favoriti im, dhe i shumicës, diçka që shihet si konkurrent i nxehtë pr ëtë fituar është ‘OJ Made in America’. Film 7 orë e 47 minuta, kinse i ndarë në disa pjesë për tu shfaqur në ESPN, e tashti nominohet për Oskar. Përqendrohet rreth temës së bërë bajat tani për futbollistin OJ Simpson i cili ishte akuzuar për vrasjen e gruas së ti dhe dashnorit të saj, një krim që kishte marr nuanca racizmi. Fitorja e OJ mund të jetë shumë e mundshme, por për mua vazhdon të mbetet i pakuptimtë vet nominimi i tij.