Seriale

The Vampire Diaries – Sezoni 8 (me spoliera)

Kur pati nisur TVD, pat qenë në formë ‘Twilight’ e prodhimet tjera me vampirë. Krejt pahiri pata vendosur të shoh pilotin, siç bëj zakonisht dhe ajo çfarë më pati impresionuar ka qenë ngjarja që në një episod të vetëm kalonte krejt një film të ‘Twilight’. Sezoni i parë, ku ka nisur e ku ka përfunduar ka qenë diçka e jashtëzakonshme në krahasim me këtë zhanër atëbotë. Dhe kur ngjitesh për diçka zor që largohesh. Sezonet kalonin edhe ngjarja sillej e pshtillej. Dy sezonet e fundit për shkak të kohës i kam përcjellë vetëm si binge, për një javë si ky sezoni final.

Recensimi i sezonit të tetë, dhe krejt serisë kuptohet do të përmbaj SPOILERAAAAAAA!

Kështu që nëse nuk e keni pa finalen, shkoni diku tjetër, bëni ndonjë gjë tjetër më të mençur.

Ajo çfarë më pëlqeu këtë sezon, pos pranisë së vazhdueshme të dy sirenave bukuroshe, në masë të madhe ka qenë sfilata e krejt karaktereve kryesore që kanë qenë të përfshira në këto sezone. E vërtetë që ‘origjinalët’ munguan ndoshta, por ata do ti kemi edhe për disa sezone. Në fakt do ti keni pasi kam humbur me të madhe tregimin andej.

Sezoni/seria kishte përgatitur një finale të mençur. Ndërkohë disa episode, disa ngjarje ndoshta nuk janë lidhur me fundin, por vegëzat ishin aty, dhe varet se sa dëshirojmë ti zgjasim e ti lidhim me ngjarjen. Skenari edhe kaq vonë në serial, me një përfundim të tillë, një rrugë të shtruar deri tek rënia e kambanave kaq mirë më ka habitur paksa. Kjo pasi kam menduar se seriali është vonuar nja dy sezone për të përfunduar.

Mendoj që vdekja e Stefanit, përfundimi i tij ka qenë i nevojshëm për të pasur një kuptim dhe për t’i ikur fundeve limonadë të serialeve. Ndryshe s’do të kishte kuptim të ngjallej Elena. Pak keq ndoshta për Karolinën, për Bonin, por aspak keq për Matin. Njëjtë sikur krejt ato memet për të vetmin ‘insan’ në Mystic Falls, meriton një duartrokitje si ka arritur tu shpëtoj vampirëve, njerëz-ujqve, origjinalëve, shtrigave, sirenave, e çka ka pasur tjetër. Fundi i tij ndoshta ke më i miri.

Më pëlqeu që u kthye edhe Viki Donovan për të cilën mendoj që kishte shkuar më herët se që duhet. Atëbotë ishte befasi për krejt. Edhe mixha i Elenës ka qenë i veçantë në një periudhë. Nejse, se po i futem një serie të gjatë të karaktereve e analizave të cilat do të merrnin kohën tuaj e timen.

Si përfundim, më vjen mirë që nuk kam lëshuar të më ikën një seri e këtillë. Ka pasur një skenar të shkëlqyeshëm, aktrim e aktorë të bukur, dhe të gjitha këto në një univers gjigant. Dhe mbi të gjitha është mbyllur për merak. Nota personale: 5/5