Recensime Filmash

Trolls (2016) – Recensim

Çfarë është lumturia për juve? Në kundërshtim me citatin e Dalai Lamës së XIV-të – Lumturia nuk është diçka e gatshme…, për bergenët lumturia vjen me ngrënien e një trolli. Këtë fjalë mund ta përkthejmë edhe si krimb ndoshta, por Poppy dhe shoqëria e saj nuk janë bash krimba. Dikush mund ti quaj edhe ashtu, por unë s’do ta bëj në këtë recensim.

Tregimi nis me lindjen e Poppyt, një troll të cilin pret ta hajë i biri i mbretit të bergenëve. Me këtë ngrënie ai do të jetë i lumtur përgjithmonë, për dallim nga bergenët e tjerë të cilët janë krijesa të pështira pa fije lumturie. Bëhet si bëhet, Poppy shpëton dhe ikën në fshatin e tyre ku rritet dhe vazhdon jetën me trollat tjerë, gjithnjë në rrezik për tu ngrënë nga bergenët. Dikur vendosin të organizojnë një aheng, dhe këtu zbulohet lokacioni i tyre i fshehtë nga i cili vidhet një troll. Tani është radha për ti shkuar në shpëtim atij.

Harrove të cek që trollët janë krijesa të hareshme të cilave vetëm këndojnë dhe vallëzojnë – diçka që duhet ti dalloj nga ‘shtrumfat’ dhe Gargamelli. Pos Branchit. Ai nuk këndon e nuk vallëzon, vetëm ju lëshon bajate njerëzve.

Është një tregim i mirë. Realizimi teknik është për qejf i kryer. Sidomos kur kemi parasysh që njëri nga bashkë-regjisorët debuton në këtë profesion. Skenaristët janë më me përvojë – Alvini dhe Kung-Fu Panda kryesisht si përvojë e tyre e mëhershme. Është një kohë e hareshme e cila ndikohet më së shumti ndoshta nga këngët e kohëpaskohshme që shfaqen. Së paku për mua ka qenë kjo pjesa më pozitive e filmit. Zooey Deschanel, Anna Kendrick, e Justin Timberlake vijnë në këta zëra – të gjithë pra me përvojë në këndim, dhe atë mjaft të suksesshme. Në anën tjetër kemi John Cleese, Christine Baranski, e Jeffrey Tambor, gjithashtu emra jo pak të njohur.

‘Trolls’ është një film mirë i realizuar, asgjë i veçantë, por aspak humbje kohe. Nota personale: 3/5