Filma Recensime Filmash

The Witch. Recension

Të gjithë e njohim atë ndjenjën kur e shohim në fillim të një filmi horror “bazuar në ngjarje të vërtetë”, detaj ky me të cilin skenaristët dhe regjisorët përpiqen të shtyjnë audiencën në kufijtë më të skajshëm të frikës, duke provuar ta zvogëlojnë apo nëse është e mundur ta largojnë fare vijën ndarëse mes të vërtetës dhe fiksionit. Kemi pasur rastin të shohim shumë filma me shtriga, magji të zeza, krijesa të mbinatyrshme të cilat të tmerrojnë, ta ngrisin adrenalinën dhe jo rrallë herë edhe të bëjnë që të ngrihesh nga vendi prej frikës. Mirëpo prapë se prapë këta filma kanë arrit në pikat ku shihet qartë imagjinata e krijuesve të filmit.

witch2

Filmi The Witch nga regjisori Robert Eggers i cili edhe vet e ka shkruar skenarin, është i bazuar në përrallat dhe rrëfimet popullore. Ngjarja zhvillohet në vitet 1630 në New-England, SHBA. Bëhet fjalë për një familje të devotshme krishtere e cila nuk pajtohet me kishën lokale në të cilën kryenin shërbimet, pasi që sipas tyre edhe vet kisha ishte korruptuar. Si rezultat familja përjashtohet nga fshati dhe detyrohen të jetojnë në një vend të braktisur afër malit. Për shkak të varfërisë së madhe si dhe një viti me të korrura të dështuara, familja fillon të vë në dyshim besimin e tyre duke u bindur se Zoti i ka lënë, se djalli i ka pushtuar shpirtrat e tyre dhe kështu bëjnë përpjekje për ta gjetur “shtrigën” e cila ishte fajtorja e kësaj përmbysje.

Ajo që e bën më të veçantë këtë film nga filmat tjerë me këtë tematikë është origjinaliteti si në rrëfim ashtu edhe në realizim. Duke u nisur nga vet skenari që sipas R. Eggers në përmbajtje ka pjesë-pjesë shkëputje autentike të pandryshuara nga shkrime të vjetra, kjo e bën filmin më të kapshëm dhe më autentik. Pastaj kinematografi Jarin Blaschke tregon që xhirimet janë bërë kryesisht me ndriçim natyral. Gjuha që është përdorur në film është po ashtu në përputhje me kohën që rrëfehet ngjarja.

The-Witch-Featured

Përveç qasjes shumë njerëzore dhe reale ndaj dukurisë së “shtrigës”, ku portretizimi i shërbëtores së djallit paraqitet krejtësisht njerëzore pa hiperbola dhe efekte special, bile edhe pa grimosje e maskime çfarë do qofshin. Eggers gjithashtu mundohet që përmes kësaj familje t’i hedh në pah stereotipet e grupacioneve fetare ku në shumicën e rasteve vet qasja e tyre ekstreme është burimi i çdo të keqe, pastaj korrupsionin që ndodhë në institucionet fetare etj.

Të veçantë e bën filmin edhe aktrimi i kastit, ku vëmendje të madhe tërheq performanca e djaloshit Harvey Scrimshaw i cili më befasoi tej mase. Pastaj edhe aktorja Kate Dickie të cilën fansat e Game Of Thrones (Lysa Arryn of House Tully) do ta njohin në shikim të parë, gjithashtu ka bërë performancë mbresëlënëse. Nuk ka dyshim që edhe Ralph Ineson dhe Anya Taylor-Joy po ashtu kanë shkëlqy në rolet e tyre duke e kompletuar filmin.

Përfundimisht The Witch është një film që duhet parë nga gjithkush që i pëlqen tematikat e kulteve fetare, ritualet satanike me theks të veçantë shtrigat.

____________________

Kushtrim R. Krasniqi