Filma Recensime Filmash

The Martian – Recensim

Me zhvillimin e teknologjis bota bëhet shumë më e vogël, më e kapshme dhe më e qasshme për secilin, deri në një pikë saqë nuk na mjafton më – duhet të ikim diku ma larg, diku në një vend të panjohur, të pazbuluar, të paprekur, në një hapsirë më të gjerë se vet bota. Po pra, zgjidhja më e mirë do t’ishte të ikim në hapsirën e pafundme qiellore përtej Hënës, atje ku ende këmba e njeriut nuk ka shkelur. Pyetja e parë që do t’na lindi në kokë do t’ishte: si mund të jetojmë (apo më mirë të themi si mund të mbijetojmë), si mund të arrimë atje, sa është larg, etj!

Këtyre pyetje është munduar t’iu përgjigjet Ridley Scott me filmin The Martian – Marsiani. Duke pasë parasysh që R. Scott është i njohur për projektet e tij filmike në tematika të ngjashme të zhanrit Sci Fi, si Blade Runner, Alien dhe Prometheus, si dhe me ekipin e “Interstellar-it” po provojnë ta vazhdojnë maratonën qiellore, mirëpo kësaj here me një qasje pak më ndryshe. Çka mund të bëjë njeriu nëse do t’ngeli i vetëm në një planet ku praktikisht nuk ka jetë fare, si mund të bie në kontakt me Tokën prej një vendi të largët pa përkrahje të mjaftueshme teknike siç është planeti Mars, etj.

the-martian-ares-3-trailer-0
Anija kozmike: ARES 3

Marsiani nuk është një aksion me efekte të hatashme speciale, me teori të ndryshme shkencore duke zbuluar sekrete t’hatashme qiellore. Në fakt më tepër mu duk si një dramë-komedi e bukur, një film që mund ta shijosh me familjen tënde dhe t’i komentosh momentet interesante që i përjeton bashk me aktorët në film. Kur e ceka në fillim se R. Scott ka drejtu filma madhështor sa i përket zhanrit Sci Fi, ky projekt nuk mendoj që arrin as t’ju afrohet atyre. Për deri sa filmat si Alien apo Blade Runner e Prometheus koncentrohen në qështje më madhore në fushën e shkencës dhe njerëzimit në përgjithësi, eksplorimit të botërave, formave të reja jetësore dhe gjëra tjera të ngjashme, Marsiani koncentrohet më tepër tek një individ dhe përpjekjet e tij për të mbijetuar në planetin Mars ku nuk ka as një formë jete, ku duhet improvizuar me gjëra të cilat i gjenë në stacionin hapsinor të ngritur nga vet ata. Filmi ka momente shumë emocionuese, efekte të bukura vizuele, me kast shumë të mirë dhe me përvojë të freskët në këtë fushë – kur e ceka se Scott e “huazon” ekipin e Interstellar-it, e pata fjalën për Matt Damon i cili pati një rol të ngjashëm edhe tek filmi i Nolanit, pastaj Jessica Chastian e cila gjithashtu ka patur role të fuqishme në të dy filmat.

Matt Damon, Jessica Chastain, Kate Mara, Sebastian Stan dhe Aksel Hennie
Matt Damon, Jessica Chastain, Kate Mara, Sebastian Stan dhe Aksel Hennie

Pa dyshim që kasti ishte shumë i mirë, me një staf si: Matt Damon, Jessica Chastian, Jeff Daniels, Aksel Hennie, Chiwetel Ejiofor, Sean Bean, Michael Pena etj., Scott ka arrit t’ua tërheq vëmendjën shikuesit dhe t’ju ngjallë interesimin për filmin tij. Pikërisht ky është njëri nga arsyet që mendoj se më tepër ka pasë rezultat negativ se sa pozitiv. Nuk ka dyshim se filmi ka krijuar situata shumë interesante, ka pasë shumë emocione dhe momente të bukura, mirëpo pritjet ndoshta kanë qenë tepër të larta ndërsa filmi nuk ka arrin ta josh kurreshtjen e shikuesit. Për nga skenari filmi është shumë i zbrazët, rrëfimi kryesisht koncentrohet rreth mbijetesës së Mark Watney-it (Matt Damon) dhe përpjekjet e stafit të NASA-së në tokë për t’gjetur një zgjidhje se si ta kthejnë astronautin e tyre të gjallë në tokë. Realisht aktrimi briliant i Matt-it e ka “shpëtuar” filmin nga një prodhim klishe e Hollywood-it me tema të shterrura tashmë dhe rrëfime shabllon të përshtatura nga filmi në film. Krenaria, patriotizmi i Amerikanve dhe romatizmi i tepruar vërehet edhe këtu, fakt ky që për mua ja ulë edhe më tepër kualitetin filmit.

Sido qoftë, përfundimisht them se The Martian është një dramë-komedi e lezetshme që ja vlenë të shikohet, sidomos në Kino me efekte 3D.

_____________________

Kushtrim R. Krasniqi