The Man from U.N.C.L.E (2015) – Recensim

the man from uncleGuy Ritchie është njëri nga regjisorët më të preferuar britanik, mos të them më i dashuri për mua. Kthimi i tij në zejen e regjisorit pas katër viteve mungesë ka qenë diçka ngazëlluese. Por, filmi The Man from U.N.C.L.E, nuk arrin në nivelin e pritjeve të mija. Nuk është që më zhgënjen, ama nuk ofron atë çfarë kam pritur nga Ritchie pas katër viteve pushimi. Dy vite më parë po të ishte publikuar ky film do të ishte goxha sukses për mendimin tim.

Tregimi duket të jetë i përpunuar më parë, jo vetëm në serinë me të njëjtin emër. Një agjent i CIA-s dhe një operativ i KGB-së nisen në një mision të përbashkët kundër një organizate kriminale e cila merret me armët nukleare.

Ajo çfarë nuk më ka bërë aq përshtypje tek ky film ka qenë harmonia skenike ndërmjet dy karaktereve kryesore – agjentëve kundërshtar. Henry Cavill është nga CIA, derisa Armie Hammer nga KGB. Të dy duken të parehatshëm në komunikimin e ndërsjellë. Nuk do të fajësoja vetëm aktrimin për këtë mangësi. Sidoqoftë kjo parehati zbutet me praninë e karakterit të Alicia Vikander në skenë e cila shërben si karakter ndihmës duke lehtësuar situatat tensionuese që ndjekin pothuajse çdo skenë që agjentët kanë së bashku, apo me eprorët e tyre. Të dy duken sikur provojnë të bëhen më tepër serioz se që duhet gjithashtu derisa provojnë të kapin thelbin e karakterit të tyre. Nëse kanë bërë ndonjë gabim Cavill e Hammer atëherë është se kanë dhënë më shumë se që duhej nga vetja.

Skenari nuk ka lehtësuar paraqitjen e tyre. Pos që nuk ofron diçka të kënaqshme në dialog, skenari edhe kërcen nga tema e skena në momente jo aq të përshtatshme. Ndërkohë regjia është pak më e mirë duke fokusuar disa skena e ngjarje që zgjon kureshtjen dhe interesimin për filmin dhe vijimin e ngjarjeve. Por, asnjëra nuk janë për tu veçuar.

Për mua, ky film mbetet nga jo më të mirët, mesatarët e Guy Ritchie. Një film që nuk ia ka vlejtur të prisja katër vite si fans i tij. Ndostha RocknRolla 2 do të kishte qenë ide më e mirë. Nota personale: 3/5

You might also like