Recensime Filmash

The Hunger Games Mockingjay – Part 2 (2015)

 

Kam lexuar të plotë serinë e librave ‘The Hunger Games’. Dhe të them të drejtën, rrëfimi i këtij tregimi ka kuptim, deri në një masë të madhe. Thjeshtë – më kanë pëlqyer. Nuk janë kushedi se çfarë cilësie, ama kanë një shije të veçantë. Por, filmat janë pak më ndryshe.

Si shumica e franshizave të filmave, edhe Hunger Games nis mirë për të përfunduar shumë nivele më poshtë. Filmi i katërt prek tabanin në çdo aspekt – tregimi shtjellohet shumë ngadalë me detaje të panevojshme që thjesht janë humbje kohe, gjë që ndikon edhe në rënien e nivelit të aktrimit dhe realizimit vizual. Intervalet e kota kohore ku asgjë nuk ndodh për sy, e nuk ka asnjë dialog me kuptim për vesh janë të shumta. Në fakt këtë e prisja që nga kumtimi për ndarjen e librit të tretë në dy pjesë. Kuptohet që qëllimi ka qenë komercialist në tërësi dhe këtë ndoshta e ka arritur me milionat e fituar. Por, nuk le një përfundim të kënaqshëm të franshizës si film.

E problemi kryesor ka qenë qysh në kasting pasi Jenniger Lawrence dhe Josh Hutcherson nuk përshtaten as sipërfaqësisht, as si karaktere në film. nuk fajëson asnjërin për këtë fakt sa pjesën e ekipit pas kamerave. Aktrimi edhe i kastit tjetër është në nivel në këtë film. Woody Harrelson mbetet i preferuari im nga kasti i aktorëve derisa të tjerët thjesht bëjnë punën e tire që u kërkohet.

Filmi nis mirë, me disa ngjarje interesante dhe të mbushura me aksion deri në një masë. Por, me kalimin e kohës ngjarja nis të ngadalësohet, të komplikohet, sikur kërcen nëpër kohë e tregim. E gjithë kjo për mendimin tim lëndon filmin i cili nuk arrin të barazoj kënaqësinë që japin librat. Të jem i qartë, edhe librat nuk kanë ndonjë nivel tepër të mirë, por janë mbi mesataren. Ngjashëm është edhe filmi i parë i kësaj serie, realizim tepër i mirë, diçka që nuk është ‘The Hunger Games Mockingjay 2’. Nota personale: 2/5