the alienist

The Alienist Sezoni 1 – Recensim

Bazuar në librin me të njejtin emër “The Alienist” e që njëherit është edhe njëri ndër librat më të shitur të autorit Celeb Carr, Netflix na sjell një tjetër kryevepër.

Sezona e parë ishte shumë e bukur, mu duk një vepër e ngjashme me Mindhunter nga Fincher, me disa elemente të “huazuara” nga Jack the ripper.

Seriali ka një fotografi tepër të bukur dhe aktrim brilant nga kasti me emrat si i madhi Daniel Bryl, Luke Evans, Dakota Fanning e Brian Geraghty. Regjia më ka lënë një shije shumë të mirë në serial, në fakt puna e bukur e regjisorit Jakob Verbruggen (deri sot emër i panjohur për mua, e siç duket paska qenë edhe casting director i filmit tim të preferuar In Bruges) mendoj që e shpëton serialin nga klishet e mundura.

Skenari është bukur i ndërtuar dhe shtjelluar në këtë vepër, siç e ceka më lart m’u duk si një version i Mindhunter i vendosur në shekullin e 19-të dhe i ndikuar nga masakrat e famëkeqit Jack the Ripper. Elementet që i kisha veçuar në këtë vepër janë: përpjekja e një psikiatri për ta hulumtuar mendjen e kriminelëve më të rëndë dhe për t’kuptuar motivet se çka i shtyen ata të bëjnë krime të rënda. Lufta e një shefi të policisë kundër korrupsionit dhe mizoritë e shkaktuara nga shtresa e lartë e shoqërisë e cila po ndërton “të ardhmen” dhe civilizimin e shoqërisë perendimore mbi kurrizin e shtresave tjera të ulta, si dhe keqtrajtimi dhe përbuzja e imigrantëve në vend. Pastaj e shohim edhe përpjekjen e një sekretare e policisë, e para në vend, e cila përballet me një mentalitet patriaral të kohës e që me çdo forcë që posedon në qenjën mundohet t’i tregoj shoqërisë që gruaja nuk është vetëm një fabrikë bebesh, kujdestare e shtëpisë dhe qenie e butë dhe e thyeshme.

Edhe pse këto elemente për mendimin tim plot klishe, me regji të bukur, aktrim mbresëlënës dhe shtjellim poashtu të denjë të skenarit, regjisori ka bërë punë të bukur në menjanimin e tyre. Përfundimisht The Alienist është një vepër që duhet shikuar.
https://www.imdb.com/title/tt4604612/

You might also like