Tag: editoriale

 

Çka kishit bo për dashuri? A e kishti lshu shtetin me shku me jetu me kilometra larg? Nejse, dikush edhe shkon me kilometra larg ‘për me gjet’ dashuri tash! Por, jo Richard dhe Mildred Loving.

Filmi i Jeff Nichols sjell një tregim tjetër racizmi, një anë tjetër të kësaj dukurie që edhe sot po arrin të njollos historinë moderne të njerëzimit anembanë, jo veç SHBA-ve. Richard ka qenë një djalë i thjeshtë i një familjeje në Virginia, i bardhë. Ai është dashuruar në Mildred, një vajzë me racë të zezë. Si fryt i kësaj, të dy kanë vendosur të martohen dhe si rrjedhojë Mildred ka mbetur shtatzënë. Atëkohë, gjatë viteve 1960’ta në shtetin e Virginias dhe shumë vende tjera të Konfederatës ka qenë e ndaluar martesa ndër-racore. Një natë, policia hyn në shtëpinë e tyre dhe arreston të dytë. Gjykata tregohet e mëshirshme dhe i dënon me largim nga shteti i tyre. Të dy lënë familjet dhe shtëpitë e tyre për të qëndruar pranë të martuar, me mijëra kilometra larg vendlindjes.

Puna pas kamerave nga Jeff Nichols me karrierën e të cilit nuk jam shumë i njohur, është e realizuar shumë bukur. Filmi kap ngjarjet kryesore duke provuar mos të përqendrohet në ngjarje dytësore. Për më tepër disa prej ndodhive mbesin ndoshta të mangëta, por aspak të zbrazëta. Disa ngjarje mbesin jashtë kamerës dhe na mbetet neve si shikues të thurim zhvillimin e tyre në imagjinatën tonë. Është një lloj pavarësie që na ofron regjisori në këtë rast.

E derisa me punën e Joel Edgertonin ka shumë gjasa të jeni njohur më herët – Warrior, Black Mass, Exodus: Gods and Kings, e shumë filma tjerë, me Ruth Negga pos nëse keni shikuar shumë TV, vështirë ta keni parë diku. Edgerton sjell një rol më ndryshe, një njeri më ndryshe dhe ndoshta mund të keni pak vështirësi ta dalloni menjëherë se kush është. Më ka pëlqyer aktrimi i tij në sjelljen në jetë një njeri shumë të thjeshtë i cili nuk dëshiron gjë tjetër pos të jetoj i qetë me njeriun që do më së shumti. Një rol më viktimizues në jetë sjell Negga, diçka e kuptueshme për shkak të vet tregimit që shtjellohet. Por, që të dy si individualisht, si në dyshe janë të shkëlqyeshëm para kamerës.

Është një film i këndshëm, pozitiv, frymëzues. Diçka që do të na bëj të dimë vlerën e lirisë elementare, dhe vlerësimin e kësaj lirie. Film që sjell racizmin edhe në një formë tjetër, goxha bizare. Nota personale: 5/5

 

Read Full Article

Kafshë nate! Lakuriqët! Xixëllonjat! Njerëzit!

Asnjërën nga këto nuk mund ti gjeni në film. As njerëzit ‘e zakonshëm’! Karakteri i Jake Gyllenhaal është ish burri i Amy Adams. Tani kjo është martuar me një burrë tjetër pasi ka qenë e zhgënjyer nga burri i saj i parë, pra karakteri parë i Gyllenhaal, Edward.

Derisa martesa e Susan (Amy Adams) po rrënohet ndihmuar pak edhe nga kriza financiare, ajo merr një dhuratë nga ish-burri i saj, një manuskript novele më ndryshe nga ajo që kishte shkruar ai më parë. Me të hapur dhuratë ajo pret gishtin që është shenja e parë në atë rrugëtim vikendi që do të trazoj edhe atë pak qetësi që ka.

Bazuar në novelën e Austin Wright, skenari i filmit sjell dy botë – atë aktualen në të cilën lexon Susan, dhe botën e novelës së Edwardit. Që të dyja vijnë nën rrëfimin e karakterit të Susan duke vendosur karakterin e Edwardit vetëm në rol pasiv. Është vështirë ndoshta të kuptoni këtë, dhe shumëçka tjetër në film. Jo të kuptoni, por të qartësoni ndoshta, pasi filmi ngarkon goxha mendjen tonë, e sidomos me përfundim të tregimit.

Filmi nis pak qetë, zymtë, për të kaluar në një shkallë nxitimi qysh në momentet e para që Susan nis të lexoj novelën. Dhe që nga aty është diçka që nuk mund ti ndaheni, deri në fund. Ju thith brenda, kryesisht novela e Edwardit më shumë se ndikimi që ka tek Susan.

Aktrimi i Jake Gyllenhaal është asgjë nën të zakonshmen që ofron ai duke qenë në ajkën e aktorëve të së tashmes. Ajo që befason për mrekulli është aktrimi i Michael Shannon e Aaron Taylor-Johnson. Është aktrim fenomenal nga këta tre të cilët okupojnë një kohë të vlefshme përgjatë filmit. Në anën tjetër, Amy Adams nuk ka shumë ndikim në tregim, sa ndikohet nga tregimi që shtjellohet. Për atë arsye disi mbetet në plan të dytë paraqitja e saj. Së paku mua më është dukur ashtu.

Është një film që kërkon përqendrimin tuaj maksimal, në çdo detaj, ashtu siç i bën Ford. Pos të shihni filmin, keni edhe shumë punë për të bërë, për të lidhur ngjarjet, personat, lokacionet, deri në detaje. Edhe më mirë mund të hiqni dorë nga kjo dhe vetëm të kënaqeni me ato dy orë filmi dhe të mbaroni me këtë tregim. Është më lehtë. Në fakt do të kënaqeni më shumë kështu. Përndryshe është një film që ia vlen ti humbni dy e katër orë nëse është e nevojshme. Nota personale: 4/5

 

Read Full Article

Edhe 14 vite, deri ti mbush 100 vjet Clint Eastwood do të bëj regji filmash. Pra, pak a shumë karakteri i tij nga ‘Gran Torino’ mund të përkufizohet edhe si biografia e tij. Një burrë patriot që nuk ndalet së punuari deri ti ndalet fryma e tij.

Ngjashëm si tek shumica e filmave në regji të Clint Eastwood, edhe tek ky mund të ndjejmë nuancën e Eastwoodit në regji, sidomos atë vranësirën jo shumtë të zymtë, por që pothuajse vazhdimisht sjell atë hijen që do ti nevojitej një të moshuari për të bërë punën e regjisorit. Kjo ndihmohet edhe nga vet periudha e zhvillimit të ngjarjes në film.

E ngjarja zhvillohet në dy periudha – e para është më 15 janar të vitit 2009 kur fluturimi 1549 kishte aterruar në lumin Hudson, dhe pjesa tjerë e filmuar kryesisht në lokacione të mbyllura gjatë hetimeve për këtë incident që kishin zgjatur disa muaj. Nëse keni dëgjuar në lajme atëbotë, atëherë pak a shumë e dini ngjarjen. Nëse nuk keni dëgjuar, do të mundohem të jap sa më pak detaje në lidhje me këtë incident.

Në datën e lartpërmendur, një aeroplan pak minuta pas ngritjes ishte detyruar të aterronte për shkak të ndërprerjes së punës të dy motorëve. Me frikën se do të mund të shkaktonte dëme më të mëdha, sidomos fatalitete, piloti Chesley Sullenberger vendos të aterroj në lumin Hudson. Derisa në fillim konsiderohet si hero, pa kaluar shumë kohë organet kompetente nisin hetimin për të vendosur nëse një incident i tillë ka mundur të shmangej. Dëgjime publike, simulime teknologjike, e shumëçka ndjekin jetën e Sullyt pas këtij incidenti, njëkohësisht derisa glorifikohet si një hero kombëtar.

Tom Hanks vjen në rolin kryesor. Dhe përkundër vështirësive që të jem objektiv në vlerësimin e punës së tij, më duhet të pranoj që Hanks sjell në jetë për merak karakterin e Sullyt. Ai arrin të mishëroj në vete jo-stabilitetin emocional të Sullyt gjatë incidentit e sidomos pas tij. Aaron Ekchart ka një rol dytësor, por përkundër kësaj kryen me zell detyrën e tij.

Në anën tjetër kemi Anna Gunn, e Mike O’Malley në veçanti. Të dy shquhen për aftësitë e tyre, e as këtu nuk na zhgënjejnë. Aktrimi pra është në nivel, e për regjinë dhe skenarin, për to jemi mësuar në shumë filma të Eastwood.

‘Sully’ [shtë një tregim i përpunuar për mrekulli, sidomos me kërcimet ndërmjet dy kohështrirjeve. Nuk ka hapësirë për të çuar poshtë, nuk ju lë të dremisni, dhe për mua kjo është njëra ndër gjërat më të mira në këtë film. Nota personale: 4/5

 

Read Full Article

Sa e sinqertë është dashuria? Deri në ç’masë do të fshihnit të vërtetë nga njeriu më i dashur i juaji në jetë? A do ta gënjenit për talentin që ekziston vetëm në mendjen e tij/saj? Për St Clair Bayfield përgjigjja në këtë pyetje ka qenë e thjeshtë.

Florence Foster Jenkins ka qenë një trashëgimtare e njohur në fillim-shekullin e XX-të në Nju Jork. E obsesionuar pas artit muzikor ajo ka përkrahur në çdo mënyrë të mundshme zhvillimin e tij. Megjithatë, ka shkuar një hap më tepër kur ka dashur të kontribuoj me këndimin e saj të operës. Me një zë të tmerrshëm, ajo ka ‘argëtuar’ vetëm persona të përzgjedhur – miq të saj dhe ata të cilët nuk kanë dashur ti prishin qejfin, sa për para, sa për dashurinë ndaj saj.

Ky film i Stephen Frears, tashmë me përvojë në portretizimin e grave në moshë si figura kryesore në film – The Queen, Philomena; sjell tregimin e bazuar në ngjarjet e vërteta për Florence Foster Jenkins. Filmi nis në një periudhë të caktuar të jetës së saj, kah fundi ku Florence përgatitet të jap nja dy shfaqje të reja pas një pushimi të gjatë. Për t’ia dal kësaj asaj i duhet të angazhoj një pianist. Atë e gjen në Cosme McMoon, karakter i cili edhe pse në rol kryesor i jep krejt kuptimin filmit nëse përqendrohemi tek zhvillimi i tij gjatë 110 minutave sa zgjat ky film.

Për këtë arsye skenari i Nicholas Martin merr një notë pozitive, jo të përkryer ndoshta, por definitivisht lavdëruese. Filmi kap gjithçka që duhet të kap, ka skena në të cilat nënçmimi i figurës kryesore të filmit ndalon në momentin e duhur, pa dal në teprim. Ngjarja është pasqyruar bukur, derisa aktrimi i Hugh Grant është për çdo lëvdatë.

Padyshim është më mirë se Meryl Streep dhe Simon Helberg. Në fakt Streep do e vendosja edhe pas Helbergut pasi nuk ka asgjë që nuk kemi parë nga ajo. Këtë e them me ton pozitiv pasi të gjithë i njohim aftësitë e saja në aktrim. Këtu më së miri vërehet në keqinterpretimin e këngëve! Howard Wolowitz i Teorisë së Big Bengut shfaq talentin e tij në një rol krejt ndryshe nga i cili e njohim të gjithë. Transformimi i tij gjatë filmit është edhe mëritë e tij, jo vetëm e skenarit. Ndërkohë Hugh Grant sjell një karakter i cili në fillim mund të na duket shumë antipatik. Dhe falë aktrimit të tij të shkëlqyeshëm, ka pak gjasa të krijojmë një qasje të qartë ndaj tij.

Aktrimi, skenari, gjithçka është mirë e ndërtuar këtu. Ngjarja pak mund të na duket e parëndësishme, apo e cekët. Megjithatë nëse e shohim si një prodhim filmik, dhe nga këndvështrimi i pianistit apo edhe St. Clair, mund të nxjerrim ndoshta diçka më tepër. Sidoqoftë, nota personale: 4/5

 

Read Full Article

Çfarë është lumturia për juve? Në kundërshtim me citatin e Dalai Lamës së XIV-të – Lumturia nuk është diçka e gatshme…, për bergenët lumturia vjen me ngrënien e një trolli. Këtë fjalë mund ta përkthejmë edhe si krimb ndoshta, por Poppy dhe shoqëria e saj nuk janë bash krimba. Dikush mund ti quaj edhe ashtu, por unë s’do ta bëj në këtë recensim.

Tregimi nis me lindjen e Poppyt, një troll të cilin pret ta hajë i biri i mbretit të bergenëve. Me këtë ngrënie ai do të jetë i lumtur përgjithmonë, për dallim nga bergenët e tjerë të cilët janë krijesa të pështira pa fije lumturie. Bëhet si bëhet, Poppy shpëton dhe ikën në fshatin e tyre ku rritet dhe vazhdon jetën me trollat tjerë, gjithnjë në rrezik për tu ngrënë nga bergenët. Dikur vendosin të organizojnë një aheng, dhe këtu zbulohet lokacioni i tyre i fshehtë nga i cili vidhet një troll. Tani është radha për ti shkuar në shpëtim atij.

Harrove të cek që trollët janë krijesa të hareshme të cilave vetëm këndojnë dhe vallëzojnë – diçka që duhet ti dalloj nga ‘shtrumfat’ dhe Gargamelli. Pos Branchit. Ai nuk këndon e nuk vallëzon, vetëm ju lëshon bajate njerëzve.

Është një tregim i mirë. Realizimi teknik është për qejf i kryer. Sidomos kur kemi parasysh që njëri nga bashkë-regjisorët debuton në këtë profesion. Skenaristët janë më me përvojë – Alvini dhe Kung-Fu Panda kryesisht si përvojë e tyre e mëhershme. Është një kohë e hareshme e cila ndikohet më së shumti ndoshta nga këngët e kohëpaskohshme që shfaqen. Së paku për mua ka qenë kjo pjesa më pozitive e filmit. Zooey Deschanel, Anna Kendrick, e Justin Timberlake vijnë në këta zëra – të gjithë pra me përvojë në këndim, dhe atë mjaft të suksesshme. Në anën tjetër kemi John Cleese, Christine Baranski, e Jeffrey Tambor, gjithashtu emra jo pak të njohur.

‘Trolls’ është një film mirë i realizuar, asgjë i veçantë, por aspak humbje kohe. Nota personale: 3/5

 

Read Full Article

Që nga posteri, traileri, e vet titulli mund ta vëreni që ky është një film banal vizatimor. Dhe për shkak se është vizatimor, drejtorët e Junior TV mund ta vendosin në prime-time ashtu siç bënin me The Simpsons, e Family Guy, e Lord of the Rings në Bang Bang. Mirë që nuk shohin Miyazakin, apo edhe më keq – ndonjë hentai.

Larg Lindjes, në Perëndim matanë Atlantikut, aty ku James Franco, Seth Rogen, Jonah Hill, e bendi i njerëzve ‘të lartë’ është skicuar tregimi i jetës sipas filozofisë së virshlles dhe kulaçit. Qëllimi i tyre në jetë është që nga raftet e dyqaneve të kalojnë në duart e blerësve që për ta janë zota të cilët do ti bashkojnë dhe ti lënë të jetojnë përgjithmonë të lumtur. Në një film të mbushur me skena dhe dialog banal, as nuk ka tentim për ta bërë filmin serioz. Më thjesht, nuk ka ‘marre’ në asnjë çast! Dhe kjo është gjëra më e mirë në këtë film. Nëse dëshiron të bësh një film të këtillë, mos provo ta fshehësh fare.

Dykuptimësia e ngjarjes, shumica e skenave e dialogëve janë me kuptim të thellë filozofik, dhe ashiqare shihet pasqyrohet në ngjarjen e tymosjes tek pishina në ‘Knocked Up,’ dhe krejt filmi ‘Pineapple Express’ e ‘This Is the End.’ Edhe pse me pikëpamje konservative, më ka pëlqyer kjo ndërlidhje e ngjarjeve në botën e ushqimeve dhe atyre në botën tonë. Ka një trajektore mirë të zbërthyer, një skenar që qartazi ka pasur nevojë për shtatë veta të cilët janë të përmendur në film si skenaristë.

E zërimi është në nivel. Me të tre ata që përmenda më lartë, tek ‘Sausage Party’ vijnë edhe zërat e Kristen Wiig, Bill Hader, Michael Cera, Edward Norton, Paul Rudd, Danny McBride, e Salma Hayerk. Pra, vetëm në këta emra mund të definoni se çfarë filmi është. Por, një shkallë më tutje nga ajo që mund ta paramendoni. Edhe atë i vizatuar.

‘Sausage Party’ mbetet një film i animuar për ‘adoleshentët me letërnjoftim’ dhe fansat e serive si ‘South Park’. Është i tepruar në shumë aspekte, varësisht nga shija e juaj. Nota personale: 3/5

 

Read Full Article

Lejlekët – këto shpezë vrastare shpresash! Më në fund, vonë pasi na kanë sjell mua, ty që po lexon këtë dhe të tjerëve në këtë hapësirë kodrinore-malore me vetëm dy fusha, kanë vendosur të pensionohen!!! Tashti janë njëfarë Amazoni, CornterStore.com më saktë, dhe në vend të foshnjave shpërndajnë gjithçka. Pra, Amazon me lejlekë në vend të dronëve.

Dhe gjithçka ecën në rregull, punët po shkojnë mirë, por disa fëmijë të mbetur për shkak të koordinatave të këqija të shpërndarjes, tani janë rritur dhe pasi që nuk fluturojnë, për ta nuk ka kurrfarë pune këtu. Derisa përgatitet largimi i tyre nga puna, vjen kërkesa për të shpërndarë një foshnje diku. Këtu nis aventura.

Lejleku Junior me zërin e Andy Samberg, dhe vajza Tulip me zërin e Katie Crown nisen në një udhëtim për të dërguar foshnjën e fundit në shtëpi. Gjatë rrugës ata hasin në probleme teknike, atmosferike, si dhe një turmë ujqish që janë ndër pjesët më komike të filmit. Pas tyre, në një mision sabotues, nga baza niset një pëllumb detektiv. Pra, tani Junior dhe Tulip duhet të luftojnë edhe me eprorët e tyre, edhe me armiqtë e jashtëm.

Për çudi kam parë të gjithë filmat e Nicholas Stroller deri tani. ‘Storks’ është filmi i parë i tij i animuar dhe nuk dëshpëron. I ka bërë ‘Storks’ në një film të këndshëm dhe të përshtatshëm për argëtim familjar. Skenari është sendërtuar pranë misionit kryesor me disa devijime komike në rrugë. Ndihmohet nga zërat e Ty Burrell, Jennifer Aniston, Ty Burrell, e emra tjera të kastit të cilët nuk zhgënjen asnjë pikë.

Pra, është një alternativë e mirë për film familjar, për dallim nga filmat paraardhës të Stroller. Nuk është diçka i veçantë as me hapësirë për të vazhduar si një franshizë. Shkurt, një film i mirë, aventurë që duhet të mos vazhdoj më. Nota personale: 3/5

 

Read Full Article

 

Mbi 200 vite ka qenë në fuqi skllavëria e zezakëve në Amerikë. Para dhjetorit 1865 kur është ratifikuar amendamenti i 13të i Kushtetutës së SHBA-ve, e që nga zbarkimi i anijes së parë me zezakë nga Afrika në vitin 1619, a thua nuk ka pasur kryengritje të zezakëve? A keni menduar ndonjëherë për këtë? Nejse, dikush i edhe më në detaje këto gjëra, por besoj që pak janë në numër ata veta. Ose ndoshta është problemi tek unë që jam i rrethuar me racistë!!!

Filma me temë racizmin kanë qenë në trend, dhe ky trend veç çka do të shtohet tash pas triumfit të Trump. Ta kemi parasysh që këta filma zakonisht janë përgatitur moti kohë para zgjedhjeve në SHBA. Ribërja e ‘The Birth of a Nation’ është njëri nga këta filma. Filmin të vitit 1915 nuk e kam parë pasi është i gjatë, dhe me aq sa di është krejt e kundërta e këtij filmi. Derisa i vjetri ishte tepër ofendues ndaj zezakëve, ky i riu është njëlloj shpagimi ndaj atij të kaluarit. Ka edhe një film ndërmjet këtyre dyve, por mjaft me histori.

Nat Turner ka qenë një skllav në familje të bardhësh në Virxhinën e vitit 1831. Qysh në fëmijëri vërehet si djalë i veçantë dhe nis të mban mësime leximi tek familja e tij pronare. Mbetet vetëm skllav në fushë pambuku pasi që zezakët nuk janë të lejuar të predikojnë. Dikur nis të angazhohet në këtë fushë duke u ftuar të qetësoj turmat revoltuese të zezakëve anembanë vendit. Me këtë i fiton shuma të mira familjes së tij pronare. Duhet të cekim se familja e tij pronare janë njerëz jo aq mizor sa shohim me kalimin e filmit. Duke parë vuajtjet e tjerëve, në mendjen e Nat lind një ide. Atë e mësoni kur ta shihni filmin.

E filmi ndërkohë ka shumë skena të rënda, jo lehtë të tretura, dhe të papërballueshme për dikë. Është si një lloj biografie për Nat Turner, e shtjelluar mirë deri diku. Ka shumë hapësira të lënda bosh, të cilat janë sikur një zbrazëti e panevojshme në pjesë të caktuara të filmit. Duken sikur këputje në shtjellimin e tregimit dhe kjo më ka penguar më së shumti pas skenave të lartpërmendura. Por, këto të fundit janë gjëra që priten, edhe pse mendoj që këtu janë tepruar edhe më shumë se ’12 Years a Slave.’ Sidoqoftë, sado e vështirë të jetë historia, ajo nuk duhet të harrohet.

Është film me skena të rënda vizuale, me temë racizmin. Është film mesatar, notë personale: 3/5

Read Full Article

Nji film i nderlikum me nji personazh t’nderlikum qe mundohet t’perhape drite ne nji bote t’nderlikume. Nji film absolutisht magjespses. Taxi Driver eshte nji ‘studim’ psikologjik mbi anen e erret dhe komplekse t’mendjes t’njeriut. Film qe tregon se sa e frikshme dhe e rrezikshme mundet me qene mendja e nji personi t’izolum nga shoqeria. Scorsese sjell nje portretizim rrenqethes dhe depresiv t’nji personi t’vetmum i cili deshperimisht deshiron t’shoqerohet me njerez dhe t’beje nji jete normale por qe brenda tij buron nji deshire ekstreme per dhune qe e bene ate t’paafte t’krijoje lidhje apo shoqeri.

N’kete film De Niro portretizon nji taksist me karakter dy-dimensional i cili perjeton nji miks emocionesh gjate gjithe kohes ku ndjen trishtimin per jetin e tij t’vetmume, ‘friken’ ne mos permbajtjen nga nga nji ane ekstreme e karakterit t’tij por edhe ate deshiren e madhe per t’bere ndryshimin ne nje bote nga e cila zhgenjehet vazhdimisht. Villian apo Hero ? Vendosne ju. De Niro me angazhimin e tij maksimal na dhuron njeren prej perfomancav ma t’mira t’karrieres tij t’pasun e qe kuptohet merita t’mdhaja per sukseset e De Niro-s ka edhe Martin Scorsese.

Ky film eshte nji aventure rrenqethese permes rutines dhe mendjes t’nji njeriu konfuz i cili nuk ka asgje per t’humbur. Nji psiko-drame e jashtezakonshme. Cdo gje rreth t’ketij filmi eshte fantastike: Puna me kamera, muzikali, skenari, regjia dhe narracioni old school qe pershtatet me storjen n’menyre t’mrekullueshme.

Briliant, klasik, epik por t’njejten kohe rrenqethes e depresiv. Scorsese na dhuron nji lloj studimi t’tjetersimit, obsesionit, paranojes dhe deshirave t’cuditshme permes syve t’nji njeriu me mendje dhe ndjenja t’komplikume duke na vertetu qe me merite t’plote rradhitet ne listen e regjisorve me t’mire n’historine e kinemase.

“Loneliness has followed me my whole life, everywhere. In bars, in cars, sidewalks, stores, everywhere. There’s no escape. I’m God’s lonely man.”

RT: 99% Metacritic 93%

taxi driver

Read Full Article

snowden

Nëse dini se kush është Edward Snowden dhe si ka përfunduar ngjarja e tij, atëherë vërtetë meritoni të ju ndodh gjithçka që ky film konsiston se po ju ndodh juve. Sidoqoftë, nuk do ta prish fundin e filmit (e meritoni nëse jeni nga ata të fjalisë së parë), edhe pse ky nis me kohën aktuale ku Snowden po takohet me gazetarët e The Guardian në një hotel në Hong Kong.

Edward Snowden, që në këtë film vihet në jetë nga aktori Joseph-Gordon Levitt, të cilin uroj që ta njihni nga ‘3rd Rock from the Sun,’ e jo nga ‘Don Jon’; është në ikje në qytet-shtetin kinez pasi ka vjedhur një sasi të madhe të dokumenteve sekrete nga agjencia për siguri kombëtare amerikane, NSA. Dhe derisa kjo ngjarje mbetet tmerrësisht në plan të dytë, duke anashkaluar shumë detaje të rëndësishme, filmi përqendrohet në historinë e Snowdenit dhe ngjarjet paraprake që shpien deri tek momenti aktual.

Karakteri i tij dështon në provat për ushtrinë amerikane, pastaj zbuloj gjenialitetin e tij, inkuadrohet në projekte të sigurisë kompjuterike, dhe bëhet i kujdesshëm derisa në të njëjtën kohë e dashura e tij e merr si paranoik. Tregimi vazhdon të shtjellohet me stilin e zakonshëm të Oliver Stone, konvertim i një anti-heroi në hero kombëtar.

Aktrimi i Joseph Gordon-Levitt është mbresëlënës. Ne që e njohim edhe nga rolet e mëhershme (përfshirë bërllokun Don Jon), mund të vërejmë që Snowden provon të ndryshoj edhe zërin për tu mishëruar në karakterin e Snowden. Megjithatë, nga ato pak intervista që kam parë të Snowdenit të vërtetë, mund të them që Snowden është pak më i butë se Levitt. I gjithë ai transformim nuk më ka pëlqyer në masë, pasi duket se Levitt nuk është i rehatshëm në punën që bënë. Duket sikur pret gabimin eventual, i ndrojtur, derisa provon të mbaj zërin dhe qëndrimin më të përmbajtur. Flitet që mund të nominohet për Oskar, por nuk besoj që nuk ka performanca më të mira në kinematografi këtë vit.

Më pëlqyen Rhys Ifans, edhe Zachary Quinto e Melissa Leo, e Tom Wilkinson me aktrimin e tyre. Për skenarin e përmenda më lart – ka mundur të jetë më racional në tema dhe shpërndarjen kohore të tyre. Edhe regjia është në nivel, por asnjëra nuk sjellin diçka të veçantë që do të mbetet në mendjen tuaj për shumë kohë.

Në përgjithësi, për mua ‘Snowden’ mbetet një film mirë i realizuar në aspektin kinematografik, dhe njëkohësisht një film që duhet të shikohet medoemos nga të gjithë. Nota personale: 4/5

Read Full Article