Tag: cineplexx

Njëzetepesë salla janë vetëm në Beograd, pa shtuar edhe 11 tjera nëpër Serbi. Pesëmbëdhjetë janë në Kroaci, nëntë në Maqedoni, e gjashtë në Mal të Zi. Të gjitha këto salla që mbajnë titullin e Cineplexxit nuk kanë arritur të kalojnë Cineplexxin kosovar në thyerjen e rekordeve.

Asnjëra nga këto nuk pretendon për rekorde ballkanike të asnjë filmi, përkundër asaj që janë deri në pesëfish më të mëdha se Cineplexxi kosovar. Asnjëra nga këto nuk ka arritur të thyej rekordin e filmave superior si ‘Geostorm’, e ‘Bad Moms Christmas’. Pse?

Derisa para një viti ardhja e një gjiganti kinematografik në Kosovë shihej si një sukses dhe më në fund një ‘evropianizim kulturor/kinematografik’, sot kjo është reduktuar në atë që mund ta cilësonim edhe si ofendim për filmdashësit e njëmendtë kosovar. Dhe të tillë ka me bollëk. Shumicën i njihni edhe nga këtu në grup, falë sugjerimeve të së cilëve të gjithë kemi parë filma të mirë. Filma për të cilët kanë treguar arsyet nga talenti artistik deri tek detajet teknike pse duhet ti shihni.

Dhe a jeni dëshpëruar?

Jo sa janë dëshpëruar ata që kanë shkuar të shohin në Cineplexx tituj si ‘Blade Runner 2049’, apo ‘La La Land’. Dhe arsyeja nuk qëndron në realizimin e dobët të filmave. Ajo është tek targetimi i audiencës e cila nuk ka pasur idenë se çfarë po shkon të shoh.

Fal ‘tag’-ave të departamentit të marketingut të Cineplexx, shumë veta sot në shkojnë në kinema se emri i tyre fillon me shkronjën B, apo se dikush ju ka bërë ‘tag’ dhe tani i keni ‘borxh’ ta dërgoni në kinema.

Çfarë filmi? Çfarë ansambli? Çfarë zhanri?

Nuk duhet të ju interesojnë. Ajo çfarë duhet të ju interesoj është të paguani çmimin e biletës dhe si zakonisht, filmi nuk mund të shikohet pa gjësende për tu ngrënë e pirë. Ashtu është ‘kultura’, ‘trendi’, dhe nëse nuk e ndiqni atëherë në fjalët e Super Gogo’s, ‘ju jeni katastrofë’.

Është e qartë që Cineplexxi është biznes dhe primare janë rezultatet financiare në fund të vitit. Është e qartë edhe se filma si dy të lartpërmendurit nuk sjellin përfitime financiare, por një portret i sinqertë i tyre s’do të sillte njerëz që do të nëmnin paratë e harxhuara dhe të llomotisin tërë kohën duke mos lejuar ata që njëmend kanë qenë të interesuar të shohin atë film.

Muhabete, fjalë banale, përtypje, llomotitje, momente intime, e gjithçka tjetër vjen pak si rezultat i kulturës, por edhe më shumë si rezultat i shkuarjes në kinema për shkak se të kanë ‘tag’. Ose për shkak se e ke emrin me ‘G’.

Ideja me ‘tag’ me sjell njerëzit në kinema, e duke u shit tituj si ‘filmi më i shikuar në Ballkan’ janë ofendim ndaj atyre që shohin filma njëmend e edhe vet filmave. ‘Geostorm’ nuk ka mundur të thyej rekorde, me gjasë, në pesëfish më shumë kinema në Serbi, e dyfish më shumë kinema në Maqedoni, por në Kosovë ka ‘çmontuar’ audiencën. Një ‘dështim epik’ financiar në kinema i cili nuk ka arritur të josh audiencën në tregjet e mëdha as pas dy viteve vonesë për shfaqje në kinema e as 15 milionë shtesë të harxhuara për ri-xhirimin e disa skenave. Derisa Kermode e quan ‘the most stupid film I’ve ever seen’, tek ne thyen rekorde.

E vërtetë që faji është paksa tek ‘kultura dhe edukimi kinematografik’, por derisa një pjesë provon të reduktoj këtë, kjo strategji marketingu vetëm sa i frynë zjarrit. Kinema ka pasur edhe para Cineplexxit, edhe pak a shumë dihet se çfarë shohin njerëzit. Derisa nuk mund të mohojmë sukseset e filmave si ‘Fast and Furious’ dhe filmave tjerë komercial, shitja e dështimeve si ‘Geostorm’ si rekordmen në Kosovë, vetëm sa ofendon filmdashësit kosovar.

Ndoshta ‘Geostorm’ nuk ka thyer rekorde në vendet tjera ballkanike për shkak të strategjisë së marketingut që përdorin. Asnjëra nga kinematë simotra nuk përdorin në çdo postim strategjinë për të bërë ‘tag’ dhe futur në borxh njëri-tjetrin.

Ndoshta për faktin se dinë çfarë shfaqin, dhe dinë si tu shesin filmat audiencës. Dhe bërllogje si ‘Geostorm’ nuk e shesin si filmi më i shikuar në Ballkan. Kanë pak respekt për audiencën. Për filmin.

 

Ndoshta se nuk janë ‘Taggeplex’. 

Read Full Article