Recensime Filmash

Sully (2016) – Recensim

Edhe 14 vite, deri ti mbush 100 vjet Clint Eastwood do të bëj regji filmash. Pra, pak a shumë karakteri i tij nga ‘Gran Torino’ mund të përkufizohet edhe si biografia e tij. Një burrë patriot që nuk ndalet së punuari deri ti ndalet fryma e tij.

Ngjashëm si tek shumica e filmave në regji të Clint Eastwood, edhe tek ky mund të ndjejmë nuancën e Eastwoodit në regji, sidomos atë vranësirën jo shumtë të zymtë, por që pothuajse vazhdimisht sjell atë hijen që do ti nevojitej një të moshuari për të bërë punën e regjisorit. Kjo ndihmohet edhe nga vet periudha e zhvillimit të ngjarjes në film.

E ngjarja zhvillohet në dy periudha – e para është më 15 janar të vitit 2009 kur fluturimi 1549 kishte aterruar në lumin Hudson, dhe pjesa tjerë e filmuar kryesisht në lokacione të mbyllura gjatë hetimeve për këtë incident që kishin zgjatur disa muaj. Nëse keni dëgjuar në lajme atëbotë, atëherë pak a shumë e dini ngjarjen. Nëse nuk keni dëgjuar, do të mundohem të jap sa më pak detaje në lidhje me këtë incident.

Në datën e lartpërmendur, një aeroplan pak minuta pas ngritjes ishte detyruar të aterronte për shkak të ndërprerjes së punës të dy motorëve. Me frikën se do të mund të shkaktonte dëme më të mëdha, sidomos fatalitete, piloti Chesley Sullenberger vendos të aterroj në lumin Hudson. Derisa në fillim konsiderohet si hero, pa kaluar shumë kohë organet kompetente nisin hetimin për të vendosur nëse një incident i tillë ka mundur të shmangej. Dëgjime publike, simulime teknologjike, e shumëçka ndjekin jetën e Sullyt pas këtij incidenti, njëkohësisht derisa glorifikohet si një hero kombëtar.

Tom Hanks vjen në rolin kryesor. Dhe përkundër vështirësive që të jem objektiv në vlerësimin e punës së tij, më duhet të pranoj që Hanks sjell në jetë për merak karakterin e Sullyt. Ai arrin të mishëroj në vete jo-stabilitetin emocional të Sullyt gjatë incidentit e sidomos pas tij. Aaron Ekchart ka një rol dytësor, por përkundër kësaj kryen me zell detyrën e tij.

Në anën tjetër kemi Anna Gunn, e Mike O’Malley në veçanti. Të dy shquhen për aftësitë e tyre, e as këtu nuk na zhgënjejnë. Aktrimi pra është në nivel, e për regjinë dhe skenarin, për to jemi mësuar në shumë filma të Eastwood.

‘Sully’ [shtë një tregim i përpunuar për mrekulli, sidomos me kërcimet ndërmjet dy kohështrirjeve. Nuk ka hapësirë për të çuar poshtë, nuk ju lë të dremisni, dhe për mua kjo është njëra ndër gjërat më të mira në këtë film. Nota personale: 4/5