Seriale

Suits – Sezoni 6 (me spoilera)

Nuk jam fans i madh i këtyre serialeve që ndahen në dy pjesë. Që ndajnë sezonin në dy pjesë. Pjesa e parë e sezonit të gjashtë të ‘Suits’ ka qenë ndoshta më e mira e krejt serisë. Ka nisur në një moment kritik, ka përfunduar në një moment edhe më të çmendur. Për ndryshim nga shumica e serialeve që sa shkojnë e bëhen bajat, ‘Suits’ sikur vera, sa shkon e bëhet ma i mirë.

Të merrem me të gjashtëmbëdhjetë episodet do të jetë e mërzitshme, e lodhshme sidomos për juve që lexoni. Por, do të merremi vetëm me ato më të rëndësishmet që kanë ndodhur dhe që janë të ndërlidhura me sezonin e shtatë. Pra, ato që na interesojnë.

Episodi i dhjetë, pra fundi i pjesës së parë të këtij sezoni, ‘P.S.L.’ shërbente si një revolucion për vendosjen e themeleve të reja tek PSL. Xhesika doli nga piktura, Harvi sikur e kuptoi që Dona është ajo e pashmangshmja, Majk u lirua, e Ljuis gjeti Tarën. Pra, ishte pika e përkryer për të nisur rrugëtimin final.

Ajo çfarë vazhdoi këtë vit ishte ngurtësimi i këtyre themeleve. Kaos në të gjitha anët, kaosi që vazhdoi deri tek finalja e sezonit. Sa i përket finales, uroj që Xhesika të mos kthehet. Jo që kam ndonjë antipati ndaj saj, përkundrazi. Por, do të ishte më e mençur të shihnim se si do të manovrojnë Ljuis e Harvi pa të. Harvi duket se i ka punët më së miri tani. Do të dal diçka për tu marr në sezonin e radhës, diçka që do ti prish qejfin pasi ka shumë bagazh me vete. Mirëpo pa këto as nuk do të kishin gjithë këto sezone.

Ajo çfarë qe katapultuese në finale ishte ndarja e Ljuis me Tarën. Për një bashkë-qel, s’mund të mos e bashkë-ndjej dhimbjen e humbjes. Nuk mund të mos fajësojmë të dy, sidomos Tarën. Nejse, këtu edhe s’mund të jem objektiv, për arsye të lartpërmendura. Por, po aq e rëndë qe edhe shkatërrimi i mitit të Donës si diçka e veçantë. Derisa jemi mësuar të shohim Ljuisin të çmendet për kësi gjëra, kjo me Donën qe diçka e veçantë, e papritur. Edhe hiç nuk më pëlqeu!

Për Rejqëllin s’do të flas! As për Majkun. Që të dy kanë pasur një sezon të shkëlqyeshëm. Sidomos Majku. Do të jetë interesante të shohim se në çfarë drejtimi do të lëviz tani e tutje ai. Do të jetë interesante të shohim krejt karakteret tjera. Për fat të mirë nuk ka mbetur shumë kohë deri tek premiera e sezonit të shtatë – 21 qershor. E sezoni i gjashtë meriton notën 5/5.