Recensime Filmash

Star Wars VII – The Force Awakens (2015) – Recensim

star wars 7Forca është zgjuar nga gjumi i tepruar. Kësaj radhe për të kryer procesin e bartjes së trashëgimisë në mënyrën e duhur. Dhe ka gjetur trashëgimtarët më të qëlluar të mundshëm duke i sjell nga një botë anonime në simbole të një universi imagjinar që ngacmon dashurinë jo vetëm kinematografike të një pjesë të konsiderueshme të filmdashësve.

Tri dekada as mposhtjes të Perandorisë Galaktike, heronjtë e revolucionit janë në arrati derisa Rendi i Parë provon të marr pushtetin mbi galaksinë pa llogaritur kundërvënien nga një grup i vockël i heronjve që nuk të mbushin syrin. Por, me ta është Rezistenca.

Rezistenca është ajo e vjetra. Gjithashtu pjesa kryesore e kastit origjinal – tre të parët nga seria e filmave, kthehen. Për të dhënë më shumë detaje për ta mund të rrezikoj ndonjë spoiler eventual, kështu që më shumë do të shkruaj për të ardhmen e franshizës, dhe pjesën aktuale që nuk lidhet edhe aq shumë me të kaluarën. Mision jo i lehtë.

Pra, është një rrezik i ri, edhe pse pa Darthin duket diçka pak e pritur. Fanatikët e tij, në njërën apo tjetrën mënyrë janë aktiv dhe kanë qëllimet po të njëjta. Për të ndaluar ata nevojitet Rezistenca e cila nuk ka shumë informata dhe gjithashtu nuk është e zonja tu vijë përballë vetvetiu. Nuk mungon Forca dhe krejt ato që e bëjnë këtë univers të Star Wars të veçantë, përfshirë droidët e storm-troopers.

Karakteret e reja në film janë Finn, Poe, Rey, dhe pas një kohe Kylo Ren. Finn është John Boyega – një storm-trooper që ka ndryshim në ndjenjat e tij për tu bashkuar anës së drejtë. Finn me kalimin e kohës dhe droidin e Poe – Oscar Isaac, i cili është një pilot që mbetet i zhdukur pas përplasjes, takojnë Rey që është një vajzë anonime. Këta tre duket të jenë shtyllat e ndërtimit të franshizës së re e cila si antagonist do të ketë karakterin e Adam Driver – Kylo Ren.

Aktrimi i të katërve për mua ka qenë diçka e veçantë që më bën të çmoj përgjegjësit e kastingut për këtë film. kur këtyre ju shtojmë edhe Domhnall Gleeson i cili është një nga yjet në ngritje, dhe emra si Andy Serkis e Lupita Nyong’o, atëherë jemi të sigurt që e ardhmja e kësaj franshize do të jetë po aq e mrekullueshme sa vet ky film. ndërkohë ishte një ndjenjë freskuese të shihnim aktorët origjinal në reprizimin e roleve të tyre.

Skenari e regjia shkëlqejnë në nivelin më të arrirë. Lawrence Kasdan e JJ Abrams kanë shkruar më së miri që është e mundur këtë rrëfim të cilin ky i fundit e ka sjell me një mjeshtri magjepsëse në ekran të madh. Është një aventurë kinematografike tunduese që të kënaq në aspektin vizual, përshtatur për merak me rrëfimin.

Star Wars Force Awakens ngjall njërën nga franshizat më të popullarizuara dhe më të suksesshme në botën e filmit, në mënyrën më të përkryer të mundshme. Nota personale: 5/5