Libra

‘Spiunia’ – Recensim

Në dhomën e ditës nuk mbajmë fotografi, piktura, apo çfarëdo frymori jo të gjallë! Kjo nuk vlen për dhomat tjera, megjithatë. Dhe derisa qëndronte aty, kopertina e librit, fytyra e saj në profil nuk dukej aspak nga ato që gjejmë brenda librit. Tregimet e saja, ato që i shkruan, nuk përkojnë aspak me atë fytyrë të çiltër prej engjëlli që reflektonte pafajësinë!

Kështu nuk mendonin ata që e kishin dënuar me vdekje për shkak të spiunazhit. Tregimi për Mata Harin, apo siç përmendet shpeshherë me emër të plotë, Margareta Geertruda MakLod, është i mbushur me kontroversi e të pathëna të cilat provon ti përmbledh në këtë libër jo shumë të gjatë, njëri nga autorët e mi të preferuar, Paulo Coelho.

Tashmë e dënuar me vdekje, si dëshirë të fundit Mata Hari kishte kërkuar një laps dhe letër për të rrëfyer historinë e saj. Dhe historia e saj është e mbushur me detaje që neve si lexues na japin një pasqyrë të këtij karakteri që nga fëmijëria deri tek ato që do të duhej të ishin ditët e fundit të saj në këtë jetë. Letra është drejtuar tek avokati i saj, z. Klune. Është një tregim që vjen në veten e parë si narracion, një tregim jo aq i gjatë, por jo edhe shumë i shkurtër. Tamam aq sa na kënaq kërkesën me faktet dhe informata që na duhen për të njohur këtë karakter, duke ia lënë imagjinatës tonë të mbushim pjesën tjerë po të dëshironim.

Edhe pse shumica e tregimeve të saja janë të pikëlluara, kohë pas kohe gjejmë dashurinë dhe lumturinë, sado e shkurtër të jetë ajo. Të lumtura apo të pikëlluara, gjithçka rrjedh nga dashuria e cila di të vjel të dyja emocionet nga jeta. E vet jeta është një baraspeshë ndërmjet këtyre dy ekstremeve, të cilat jo shpesh preken në këto tregime.

Janë tregime që në vende sjellin detaje dytësore duke lënë pikat kryesore në imagjinatën tonë, e që dikush do të mund ti konsideronte si anë negative të librit. Por, personalisht mua më kanë pëlqyer, si shumica e veprave të Coelhos. Edhe ‘Spiunia’ mbetet aty në anën pozitive të peshores.

Sidoqoftë, besoj që do të kemi edhe shumë vepra nga autori në fjalë. Dhe këto vepra veç çka do të fitojnë në cilësi e volum, si në mënyrën e rrëfimit të tregimit, si në përmbajtjen e temave. Shpresoj dhe besoj që do të kemi tema më të hareshme, më të lumtura me kalimin e kohës. Edhe pse edhe këto që janë tani, goxha mirë përziejnë dyja anët e jetës.