Recensime Filmash

Song to Song (2017) – Recensim

Edhe një film ku nuk mund të jem objektiv. Jo kur bëhet fjalë për Terrence Malick.

Edhe pse tashmë i plakur, ai vazhdon të sjell kryeveprat në stilin e tij pa humbur asgjë nga cilësia. Kuptohet, kjo vlen për ata të pasionuar pas punës dhe stilit të tij. Edhe unë renditem në këtë grup.

‘Song to Song’ duket se është pjesë vazhdimi nga ‘Knight of Cups’, vetëm se tani kemi të bëjmë më shumë me muzikën se sa me letërsinë. Michael Fassbender është Cook – një producent muzikor që bën jetë luksoze, të ëndrrave. Me shumë veta që vijnë e shkojnë në jetën e tij, ai mbetet pjesa kryesore, statike, derisa dy femrat kryesore në jetën e tij lëvizin me dinamikë tjetër. E para është Rooney Mara si Faye, e cila ka nisur në rolin e një sekretare të tij, për të kaluar në një lidhje me të, e pastaj edhe si artiste. Në fakt, filmi duket se përshkruhet nga sytë e Faye pasi më së shumti lidhemi me karakterin e saj si shikues. Depërtojmë më së shumti në karakterin dhe jetën e saj. Faye është në kërkim të jetës, kënaqësisë maksimale. Dhe gjatë këtij rrugëtimi takon BV – Ryan Gosling. Ai vjen si një artist i rekrutuar nga Cook, i cili i ofron jetën e tij, jetë e cila nuk e impresionon ndoshta edhe aq. BV kërkon diçka të tillë si Faye, por nuk e gjejnë me gjasë në njëri tjetrin. Ndërkohë Cook provon të gjej rehatinë në Rhonda – Natalie Portman, një mësuese.

Bëhen trekëndësh pas trekëndëshi, që në përshkrim mund të duket e komplikuar, por në film është aq e thjeshtë sa vet filozofia e punës së Malick. Ai edhe këtu sfidon filozofinë e jetës, kënaqësitë, qëllimet, dashuritë, vet jetën. Këtë e bën si zakonisht në mënyrën më të thjeshtë artistike. Nuk kemi aktivitete ditore, vetëm meditime të karaktereve të cilat kërkojnë përgjigje nga jeta. Nga njëri tjetri. Dhe këto vijnë me pamje të mahnitshme natyre nga pas, që vetëm Terrence Malick di ti kombinoj.

E si çdo herë nën drejtimin e tij, aktorët duket qartazi që janë duke u argëtuar. Janë aq të lirë sikur një pendë që fluturon lehtazi në një erë të butë vere. Vet tregimi kërkon hiç më shumë se kaq ndoshta. Por, jo edhe krejt skenat janë të lehta. Aq më pak mimika e tyre. Kasti është i shkëlqyeshëm, bashkë me Holly Hunter, Berenice Marlohe, e Cate Blanchett.

Është një kryqëzim i thellë filozofik, i zorshëm për tu përshkruar, ama shumë i lehtë për tu shikuar. Nota personale: 5/5