sing

Sing (2016) – Recensim

Edhe kafshët duket se janë prekur nga mania e The Voice e The X-Factor. (Ndoshta) Inspiruar nga këto, Buster Moon, një miush, hap audicionet për një shfaqje muzikore e cila do të mblidhte mjaft para për të shpëtuar teatrin e tij. Falë një sekretare të plakur, shpërblimi shtohet për dy zero dhe konkurruesit renditen para teatrit për audicione.

Pjesa e audicioneve është më e mira nga ky film. Përmban këngë hite nga epoka të ndryshme të muzikës, shumicën e të cilëve i kam shijuar gjatë tërë kohës. Këto këngë nuk mungojnë as në pjesët e mëvonshme të filmit i cili nuk është vetëm muzikë e këndim.

Që të gjitha karakteret në film, që nga miushi Buster, e deri tek elefantja Mena kanë një histori në vete, një jetë të përditshme e cila na vjen në detaje të kufizuara. Janë karaktere përtokë, të thjeshta, të lezetshme, dhe që vijnë nga zëra mirë të përzgjedhur.

Në mesin e zërave kemi atë të Matthew McConaughey, Reese Witherspoon, Seth MacFarlane, John C. Reilly, Scarlett Johansson, Taron Egerton, e edhe vet regjisorit Garth Jennings. Për këtë të fundit është ky filmi i parë i metrazhit të gjatë në rolin e regjisorit. Regjia e skenari janë mirë të përpunuara. Vazhdimisht ka një hare, edhe pse nuk është asgjë e veçantë. Nuk i ikën, por as që tenton e as nuk kishte nevojë ti ikte të zakonshmes. Kështu siç është, mbetet një film mirë i realizuar.

E përmenda që zërat e përzgjedhur janë mirë të përshtatur me karakteret, edhe pse ndoshta asgjë do tu binin ndërmend ti veçonit. Ky është një avantazh ndoshta i skenarit që nuk ju le shumë kohë për të humbur në kësisoj detaje jo aq të rëndësishme.

‘Sing’ mbetet një film i mirë, me shumë kafshë të cilat këndojnë hite të ngujuara në kujtesën tonë. Nota personale: 4/5

You might also like