Seriale

Silicon Valley – Sezoni 4 (me spoliera)

Tash e tutje ‘Silicon Valley’ s’do të jetë i njëjtë pa Erllih Bakmanin. Largimi i TJ Miller pos që është befasi për të gjithë, do të duhej edhe të lëndonte përsosmërinë e serisë. Karakteri i tij ka qenë ndër katalizatorët kryesor të skenave komike. Derisa largimi i tij ndoshta do të provohet të mbulohet nga prurja e ndonjë karakteri të ri në lojë, jehona s’do të jetë e njëjtë.

I mbetet skenaristëve të kryejnë punën, por s’do ta kenë aq të vështirë besoj pasi që ka shumë karaktere tjera komike tek të cilat mund të shpërndahet koha në mënyrë racionale.

Ky sezon ka pjekur, ose thënë më mirë ka testuar disa karaktere tek ‘Silicon Valley’.

Interesant ka qenë bashkëpunimi ndërmjet Riçardit dhe Gevinit. Diçka e papritur, ama komike në suazat e veta, kryesisht për shkak të polaritetit të kundërt që kanë si personalitetet ashtu edhe botët e të dyve. Takimi i Gevinit me Erlihun në Tibet po që ka qenë ndër pjesët më të çmendura të sezonit. Ngjashëm siç qe shkarkimi i Gevinit nga Xheku, marrëveshja e Erlihut me Lorin, e shumë ngjarje tjera.

Por, asgjë s’kalon, së paku për mua, lidhjen ndërmjet Erlihut e Xhin Jengut, deri në përshëndetjen e tyre në aeroport. Dineshi ka pasur një sezon tejet interesant me lidhjen e tij të çuditshme. E pë gjithçka tjetër aty ka qenë Gillfojll – njëri ndër karakteret më të dashura për mua.

Dy karaktere që janë zhveshur nga e kaluara duhet të jenë Xheredi edhe Nellsoni. Ky i fundit papritur u bë profesor, derisa ai i pari ndërroi i tëri duke u çmendur kah fundi.

Mos të harrojmë edhe vizitën e Riçardit tek mjeku i tij, gjetjen e bizneseve të reja me (ar)miq të vjetër, bizneset e Erlihut me Lorin, e edhe finalen e sezonit.

Aktrimi ka qenë sikur shkrimi, fenomenal. Është një punë e gjithanshme që e bën ‘Silicon Valley’ njërën ndër komeditë më të mira në TV për momentin. Nota personale: 5/5