Seriale

Silicon Valley – Sezoni 3 Recensim

silicon valleyShumëçka, apo më mirë të them gjithçka ka ndodhur në këtë sezon të Silicon Valley.

Si Pied Piper sikur Hooli kanë lëvizur lart e poshtë në trajektoren e biznesit. Kjo lëvizje ka qenë goxha e këndshme për mua si shikues.

Duke nisur me rrugëtimin e Richardit nga ku e kishim lënë, deri tek udhëtimi i secilit karakter; lidhjet e tyre mes vete, dhe instancat e shumta komike, mund të them që sezoni i tretë i Silicon Valley ka qenë edhe më i mirë se të kaluarit duke u rritur në cilësi për tu formësuar në një komedi të mirë.

Nominimet për Emmy, sidomos i Thomas Middleditch nuk janë aspak nga ajo që meritojnë i tëri kasti dhe ekipi i këtij seriali.

Rrugëtim interesant ishte i Richardit i cili nga fillimi deri në fund ka bërë një rotacion të plotë ku mbetet të vendoste për gjëra madhore në fund. Erlich si gjithnjë ka qenë në krye të detyrës me gjithë ato bizneset e ‘veçanta’ që bën. Ka një harmoni skenike të mirë me Nelsonin dhe më pëlqen të shoh këto dy karaktere në skena të njëjta. Megjithatë ky çift mbetet mbrapa Gilfoyle dhe Dineshit. Ky i fundit për disa arsye ka qenë komik këtë sezon, përfshirë dashuriçkën e tij të shkurtër. Por, Gilfoyle është ‘loçkë’ karakter për shkak të injorancës dhe sarkazmit që përdor karshi karaktereve tjera. Ai vazhdon me këtë fund e krye gjatë sezoni dhe është ndoshta ndër arsyet kryesore për ta shikuar këtë serial. Ndërkohë Jared ka pasur atë botën e tij ‘anësore’ në krahasim me karakteret tjera.

Gavini ka qenë i përqendruar më shumë tek bota shtazore këtë sezon. Edhe ai ka bërë një rrotullim prej 360 shkallësh. Edhe pse ka një frymë negative ndoshta në serial, personalisht arrij të gjej një humor që rezulton me të qeshura të kohëpaskohshme tek ky karakter. Derisa Laurie ka vazhduar me të vjetrën, Monica ka qenë ndoshta karakteri që është zhvilluar më së shumti këtë sezon – shpresoj për qejfin e shikuesve. Ajo arrin të krijoj një ‘shpinë’ në fund kur edhe del në plan të parë pasi qëndron si në hije për pjesën më të madhe të sezonit.

Më pëlqeu angazhimi i Stephen Tobolowskyt në rolin e Jack Barker. Ky rol nuk ndryshon me shumicën e atyre që kam parë më herët të portretizohen nga ai, mendoj tek mënyra e aktrimit, por ishte freski e bukur. Besoj që do të vazhdoj të mbetet pjesë e serialit pas atij hapi të mençur të skenaristëve për ta mbajtur në serial. Por, edhe mund të largohet pa shumë kohë.

Si përfundim ky sezon i Silicon Valley, ashtu siç e përmenda më lart, mbetet më i miri deri tani dhe më inkurajon fakti që po ecën me këtë ritëm të përmirësimit me çdo episod të kaluar. Ka shumë potencial për të vazhduar me këtë ritëm edhe për më shumë se një sezon. Mbetet një ndër komeditë më të mira aktualisht në televizion.

Luan Morina
Kritik filmi