rules dont apply

Rules Don’t Apply (2016) – Recensim

Nëse doni të bëni diçka, mirëpo për momentin nuk ju paguhet, ose ndoshta edhe kurrë s’do të paguhet (sikur kjo që po e bëj unë tash sa po shkruaj këtë recensim); dhe vendosni të merrni pushim me besimin se talenti nuk do të ju zhduket edhe nëse rri turshi për dekada, atëherë jeni gabim. Këto rregulla nuk përjashtojnë as Warren Beattyn.

Ai sjell tregimin për Howard Hughes, një miliarder me një jetë të çuditshme i cili jeton larg publikut, jo bash pa arsye. Howard merret edhe me prodhimin e filmave, për yjet e të cilave kujdeset goxha shumë. Një ndër këto yje është edhe Marla Marble. Ajo bashkë me nënën e saj goxha fetare zhvendosen nga Anglia në SHBA, për të ndjekur ëndrrën e aktrimit. Të dyja këto karaktere që vijnë nga Lilly Collins (Marla) dhe Annette Bening (e ëma) barten nga Frank (Alden Ehrenreich), i cili është nën mbikëqyrjen e Levar (Matthew Broderick) i cili vepron si shef i stafit të Howardit. E Howardi është vet Warren Beatty.

Jetët e Marlës, e Frankt, dhe Howard ndërlidhen në mënyra të çuditshme e të komplikuara me zhvillimin e filmit. Mund të duket si një skenar kompleks, i përzier pa nevojë, e në vende edhe me zbrazëtira. Megjithatë nuk i ikën prekjes klasike të regjisorëve tani pensionist. Sjell atë frymën periodike të viteve të bumit industrial të Hollywoodit të pas-Luftës së Dytë Botërore. Këtë periudhë e kap për merak duke u ndihmuar nga një kinematografi goxha mbresëlënëse. Në fakt këto dyja janë gjërat më të mira në këtë film.

Skenari e përmenda që ka shumë zbrazëtira dhe këputje. Kjo më së shumti lëndon filmin, përfshirë edhe aktrimin që jam i sigurt se ka mundur të ishte shumë më i mirë. Përkundër faktit që rregullat nuk vlejnë për karakterin e Marlës, rregullat e lartpërmendura vlejnë për Beattyn i cili do të duhej të kishte kopjuar jetën e pensionit ngjashëm si Eastwood i cili vazhdon të bëj filma, edhe ata goxha cilësorë.

‘Rules Don’t Apply’ mbetet një film nën-mesatar, një ide e një realizim i pakompletuar mirë. I papjekur. Nota personale: 2/5

You might also like