Recensime Filmash

Rogue One (2016) – Recensim

Mëkat do të ishte që universi i ‘Star Wars’ mos të ringjallej në këtë epokë. Shitja e Lucasfilm tek Disney ka qenë një gjë e bekuar për filmdashësit. Filmi i parë jashtë serisë ‘Star Wars,’ por nga i njëjti univers na dërgon ndërmjet ngjarjeve të filmit të tretë dhe të katërt.

Aleanca e Rebelëve ka vendosur të vjedh planet për Death Star, dhe si zakonisht arritja e qëllimit kundër forcave të Perandorisë s’është e lehtë. Pra, është një duel i zakonshëm rebelët kundër perandorisë, por si zakonisht ka detaje tjera të cilat u interesojnë të pasionuarve në këtë seri filmash, në këtë univers. Derisa unë nuk jam nga fansat më të mëdhenj të kësaj serie, ky univers gjithnjë më ka zgjuar një interes dhe është padyshim më i miri i prodhuar ndonjëherë në kinematografi (po, më i mirë se Star Trek).

Xhin Erso është e bija e Galen Erso, një shkencëtar i detyruar nga Perandoria të punoj në krijimin e një arme që do tu jepte përparësinë në luftën kundër Aleancës së Rebelëve. Pak para se të rekrutohej detyrimisht nga ta, ai shpien të bijën e tij në një zgafelle për tu rikuperuar nga So Gerrera, një bandit i paanshëm në këtë mesele. Pas disa viteve, forcat rebele marrin një mesazh që Galen Erso është duke zhvilluar armën, dhe nisën në mision për ta likuiduar atë dhe marr planet. Pjesa tjetër është histori e shtjelluar në këtë film!

Felicity Jones vjen në rolin kryesor, atë të Xhinit. Aktrimi i saj është i mirë, por mos të mashtrohemi – ajo nuk është Daisy Ridley. Mads Mikkelsen vjen në rolin e babait të saj, derisa So Gerrera është Forest Whitaker. Që të dy është kënaqësi ti shoh në filma. Kanë një linjë të veçantë karakteresh të cilave nuk u ikin as në këtë film. Diego Luna është ai që rrugëton me Xhin gjatë pjesës më të madhe të filmit. Ai është Kasian Andor, i dërguari i Aleancës së Rebelëve në misionin e lartpërmendur. Rrugës u bashkohen edhe Donnie Yen në rolin e një ‘jedi’ dhe Wen Jiang. Riz Ahmed të cilin keni mundur të kënaqeni duke e parë në ‘The Night Of…’ vjen me një rol interesant në film. Në anën tjetër kemi një grumbull aktorësh me aksent britanik të cilët vijnë në role negative të Perandorisë.

Filmi ‘Rogue One’ është abetare e shkëlqyeshme për ata që akoma nuk kanë nisur të shohin filmat ‘Star Wars’ dhe kanë vendosur të nisin nga i katërti. Për neve tjerëve është vetëm një pjatë shtesë në menynë tonë goxha të kënaqshme. Nota personale: 4/5