Recensime Filmash

Resident Evil: The Final Chapter (2017) – Recensim

Thonë që është kapitulli final i ‘banorit të së keqes’! Edhe titulli, edhe vet producentët kinse kanë paralajmëruar, por s’do të jetë! Hiç s’besoj që do të jetë! Me mbi 300 milionë të hyra nga kinematë që është më shumë se paraardhësi, s’ka shanse të jetë i fundit!

Tregimi megjithatë paralajmëron një finale të historisë së kësaj bote në këtë film. Alisa ka vendosur të kthehet për përballjen finale tek Ombrella. Sigurisht që pjesa më e madhe e filmit do të kaloj rrugës për të arritur aty, shumë vrasje të krijesave të kapura nga virusi, miq, armiq. Gjithçka si zakonisht. Do të ketë beteja, do të shpëtoj për pak, pastaj do të ketë dyluftime atraktive, arratisje interesante, dhe horror kuptohet.

S’jam fans i horrorit, por filmin e parë e pata shikuar kur kam qenë një adoleshent. Akoma më kujtohen skena nga ai film, skena të cilat arritën të përsëriten, ri-adaptohen edhe në këtë ‘kapitull final’. E ky kapitull më së shumti merret me luftën e Alisës me doktor Isakun. Është një dyluftim që teprohet për mendimin tim, zgjatet, tejzgjatet, bëhet bajatttt!!!

Milla Jovovich e Iain Glen përsëritin karakteret e tyre me të cilat tashmë janë familjarizuar. Pasi që është botë e njohur për të, hiq më keq nuk mbetet as Paul W.S. Anderson. Filmi nuk dëshpëron në krahasim me filmat paraardhës. Ndoshta lë mangu një finale të shumëpritur, por s’besoj se do të duhej të pritej më shumë nga ky film. Nga kjo seri.

Për mendimin tim, ‘Resident Evil: Final Chapter’ është projekt i suksesshëm. Është film që sjell atë që jemi mësuar të sjell, pa ndonjë risi të madhe. Për dikë mund të jetë zhgënjim, për mua si dikush që nuk i intereson fare horrori, s’ka qenë. S’është i keq. Nota personale: 2/5