Filma

Regjisori i muajit mars – Quentin Tarantinno

Këtë muaj, çdo fundjavë, grupi MMA – ku bëjnë pjesë njerëz të veçuar për shijen dhe njohuritë e tyre në film, të dëshmuar në grupin Maniakë t’filmave, do të sjellin nga një titull të regjisorit të përzgjedhur për këtë muaj, Quentin Tarantino.

 

Serinë e filmave të Quentin Tarantinos e nisim me filmin ‘Kill Bill Vol.1’. Filmi tregon storien e hakmarrjes së Nuses që ka kaluar katër vite në komë duke humbur foshnjën e saj të palindur. Për më shumë rreth filmit, kemi marrë mendimet e dy anëtarëve të MMA-së:

 

“Ndriçimi, zëri, dialogjet dhe natyrisht detajet janë absolutisht të mrekullueshme tek Kill Bill vëllimi 1. Uma Thurman është e përsosur në rolin kryesor, Darryl Hannah nuk ka qenë kaq e mire asnjëherë më parë ndërsa Chiaki Kuryiama edhe pse ka një rol mjaft të vogël, është e shkëlqyer!” – Kaltrina Hajrizi

 

“Kill Bill, kjo vepër madhështore nga regjisori kontrovers Quentin Tarantino, përveç që na sjell një rrëfim shumë interesant të një vrasëse profesioniste që tradhtohet nga banda e saj e që më vonë iu vihet pas për hakmarrje, gjithashtu na sjell në ekran një gërshetim unik dhe tejet interesant të kulturave Lindje-Perëndim. Aftësia e tij unike që ngjarjet a gjërat e jashtëzakonshme t’i paraqes në mënyrë të zakonshme dhe anasjelltas me plot absurditet, e bën këtë film të jetë shumë unik dhe interesant. Hiperbola gjatë skenave të luftës, lëndimet apo edhe momentet e vdekjes janë karakteristika që e dallojnë Tarantinon. Pastaj përzgjedhja e kastit duke i ndarë rolet më të përgjakshme fytyrave të buta si Uma Thurman e Lucy Liu vetëm sa ia shton kredibilitetin filmit dhe regjisorit. Ndryshimi i skenave varësisht nga rrëfimi i tregimit, dialogjet mes protagonistëve përplot absurditete, një tregim kaq i paparashikueshëm, të gjitha këto karakteristika e bëjnë që Kill Bill të konsiderohet si një kryevepër kinematografike dhe film që nuk të mërzitë sa herë që e rishikoni atë.” – Kushtrim Krasniqi