Seriale

Ray Donovan – Sezoni 4 Recensim

Armenët, tash rusët! Çfarë ka në radhë? Shqiptarët?

Ky sezon i ‘Ray Donovan’ vazhdon kahun që kishte marr duke ngushtuar veprimtarinë e Ray në atë të familjes dhe shoqërisë së tij të ngushtë. Dhe, për çudi nuk është vetëm Mickey për të cilin duhet brengosur, edhe pse në fakt gjithçka nis nga ai.

Ka shumë gjëra që ndodhin në këtë sezon, dhe secili nga karakteret ka atë dritën e tyre, trajektoren e tyre që në njëfarë mënyre na zgjon interesimin dhe na mban të lidhur edhe pse janë ngjarje dytësore. Kanceri i Abbyt; karriera e Terryt dhe dëshira e tij për tu rehatuar më në fund, lakmia që vëren ndoshta tek Bunchy; jeta martesore e këtij të dytit që megjithatë nuk mund të shqelmoj të kaluarën; problemet me Bridgetin; si dhe hyrja në moshë e Conor, janë tema që marrin kohën e tyre mjaftueshëm, përkundër se këta dy të fundit janë më pak aktiv në tregim. Dhe kjo vetëm tek familja e ngushtë përjashtuar Mickey.

Këtë sezon Ray në njëfarë mënyre zgjeron familjen edhe me Avin. E në të njëjtën kohë Lena zgjeron ‘kompetencat’ e saja edhe në çështje të brendshme familjare të Rayit.

Kthim në familje

Interesante ishte të shihnim Mickey që dëshiron të rehatohet edhe ai. Në fakt, të gjithë karakteret vetëm dëshirojnë qetësi në jetën e tyre, por gjithmonë del diçka, më shpesh e lidhur me të kaluarën që nuk i le të kenë atë paqe që dëshirojnë.

Më ka pëlqyer goxha shumë zhvillimi i ngjarjeve, edhe pse parehatia e vazhdueshme e Rayit paska më ka bërë anskioz edhe mua, jo vetëm atë si karakter. Thjesht, as nëse si shikues nuk kemi qenë në paqe pas ndonjë episodi. Nejse pas të fundit po.

Tashti nuk di kah do të shkojnë gjërat, ama janë rehatuar së paku për momentin. E ceka më lartë, ndoshta është radha për shqiptarët që të kenë pjesën e tyre në këtë serial, në jetën e Rayit.

Katërshe

Ka qenë sezon i mirë, me tensione deri në fund. Jo më i miri, por cilësia nuk po bie. Kemi një mobilizim familjar kundër të huajve, diçka që nuk ka qenë e pranishme në këtë serial deri më tani. Nuk di sa po më pëlqen ky drejtim. Megjithatë planifikoj të vazhdoj edhe më tutje. Nota personale për sezonin e katërt: 4/5