Filma

Racizmi, pjesa 2 – Oskarët 2017 (4)

Fitorja e Trump do të ringjall, përforcojë revolucionin shoqëror në kinematografi. Tema si racizmi dhe homoseksualiteti do të vazhdojnë të jenë në trend me qëllim të shfaqjes së rezistencës ndaj pushtetit me një mënyrë. Por, edhe mund të ndodh e kundërta. Ana tjetër e cila ka qëndruar në hije duke u lyer me liberalizëm fals për tu përshtatur me esnafët tjerë, mund të marr kurajë dhe të bëj veprat e tyre të cilat jo medoemos duhet të kundërshtojnë edhe në mënyrë indirekte këto gjera liberale. Diku në mes shpresoj të mbeten artistët e vërtetë.

Racizmi shumicën e kohës na vjen në zërin pasiv. Gjithmonë racistët na shfaqen si njerëz të dhunshëm dhe pjesa tjetër me të cilën duhet të simpatizohemi është pjesa e shtypur. Janë njerëz që shtypen vazhdimisht. Vetëm pse kanë një ngjyrë tjetër lëkure. Dhe kjo nuk më ka pëlqyer tek këta filma, sidomos ’12 Years a Slave’.

Këtë vit, ‘Moonlight’, ‘Fences’, e ‘Hidden Figures’ sjellin racizmin më ndryshe. Tek ‘Moonlight’ kemi një djalë me fëmijëri të turbullt dhe të mundimshme i cili ka probleme me adaptimin në shoqërinë konservative. Por, edhe këtu ai vjen si dikush i shtypur. Tek ‘Fences’ karakteri i Denzelit është një shofer analfabet. Megjithatë pos kësaj, filmi na sjell një jetë deri diku normale për të, e cila është e turbulluar që nga fillimi. Dallimi qëndron në atë se ai dikur përballet me probleme të cilat më shumë kanë të bëjnë me qenien njerëzore se sa me ngjyrën që kanë. Të dy këta filma sikur përçojnë këtë mesazh. Është diçka, janë telashe që nuk njohin ngjyrë.

E ‘Hidden Figures’ është filmi që sjell një grup të grave me ngjyrë të cilat kanë aftësi të jashtëzakonshme në matematikë dhe shkencë. Dhe për këtë arsye, për atë se sjell një anë pozitive që duhet lakmuar, e jo për të ndjerë keqardhje, mendoj që ‘Hidden Figures’ është ndër filmat më special për racizmin që është bërë kohëve të fundit.