planet earth 2

Planet Earth 2 – Recensim

 

Sir David Attenborough është njëri ndër mësuesit kryesor që kam pasur. Jo aq i mirë sa mësuesi Ruzhdi, dhe disa mësues tjerë, ama ka një kontribut të madh në edukimin tim sidomos sa i përket planetit tonë. Ligjërata e tij e fundit vjen në gjashtë episode të ‘Planet Earth 2’.

Nuk është vazhdim i serisë së parë sa është një seri origjinale që vjen për të ngopur egon tonë të uritur për bukuritë e këtij planeti ku jetojmë, e për të cilin nuk dimë asgjë. Ama bash asgjë! Këtë përfundim e keni sa herë që shihni dokumentarë të përgatitur nga Attenborough dhe BBC në përgjithësi.

Njëra ndër anët më të bukura të këtij dokumentari është mënyra se si është realizuar. Vetëm atëherë kuptojmë edhe një herë, më mirë se sa është zor të bëhet diçka kaq e mrekullueshme. Krejt ajo që mësojmë e që na kënaq gjatë kësaj serie dokumentare ka njerëz të cilëve iu duhet kohë e sidomos durim në kapjen e gjërave më të bukura të planetit tonë.

Janë shumë gjëra të bukura që na vijnë në këtë seri. Migrimi i gaforreve është ndër pjesët më të bukura të episodit të parë. Por, jo pak kohë nevojitet për të mësuar historinë dhe sakrificën e prindërve pinguin.

Dhitë alpiniste dhe mençuria e tyre për të zbritur malin është gjëja e radhës që na lë gojëhapur, para se të kemi edhe një shfaqje të instinktit prindëror tek nëna leopardë e borës. A e dini që në xhungël ka delfinë?! Po a keni menduar se si majmunët arrijnë të mësojnë ngjitjen nëpër degë? Vetëm një e treta e tyre e mbijetojnë këtë fazë. Edhe më pak mbijetojnë bretkosat që janë më të vogla se thonjtë e duarve tona. Mënyra si i mbrojnë të vegjlit e tyre, krimbat me drita, shuarja e jetës e bubave dhe kafshëve tjera në shkretëtirë, gjuetia e gjirafave nga luanët, e çmos tjetër mbresëlënëse vjen në këto gjashtë episode. Mos të harrojmë edhe flamingot dhe disa ngjarje tjera që do të na bëjnë edhe të qeshim kohë pas kohe nga gjërat e pabesueshme që bëjnë.

Një hap më tutje na dërgon shkrirja e vegjetacionit në Kili për vetëm disa orë nga miliarda insekte. Bashkëjetesa e hienave me njerëz në Afrikë, dhe gjelbërimi në qytete si Singapori janë mrekulli të vjedhura nga parajsat fantastike deri tashti vetëm të imagjinuara.

Ka shumë më tepër ngjarje e kafshë të rrëfyera në këtë seri, por s’mund ti përmbledhim të gjitha në një recensim. Planet Earth II është diçka që duhet të shihni patjetër! Është gjëja më e mahnitshme e shfaqur në TV ndonjëherë! Nota personale: 5/5

 

You might also like