Recensime Filmash

Paterson (2016) – Recensim

Jim Jarmusch është disi ndryshe. Nuk është i veçantë, por është më ndryshe nga e zakonshmja, diçka të cilën e bëjnë shumë veta, në mënyra të ndryshme. Manipulojnë me hije, me kontrast, diçka të cilën e ka në qejf edhe Jarmusch e të cilën mund ta shihni edhe tek ‘Paterson’. Nuk është marre nëse s’keni dëgjuar kurrë për këtë regjisor. S’ju nevojitet njohuri paraprake për të parë këtë film minimalist.

Them minimalist sepse ngjarja zhvillohet për një javë dhe përfshin jetën e thjeshtë, e për ndokënd, goxha të kot të karakterit kryesor, Patersonit. Ai është një shofer autobusi i cili derisa sfidon teknologjinë dhe pushtimin që po bën ditë e më shumë në jetën tonë, provon të merret me poezi. Është një lloj poezi e veçantë, më ndryshe, e cila zhvillohet çdo ditë nga pak. Frymëzuar nga ato që sheh e që dëgjon në punën e tij, poezia merr një ton ndoshta të çuditshëm. Ama është poezi e mirë. Në atë të veten.

Patersoni ka një grua, artiste, dhe të dy bashkë kanë edhe një qen. Pra, një jetë arti ndoshta, e thjeshtë, minimaliste, ngjashëm si filmi. Larg teknologjisë së mençur. Patersoni nuk mban telefon të mençur, apo kompjuter. Gjithçka bën në mënyrë klasike, jashtë modës.

Aktrimi i Adam Driver i cili vjen në rolin kryesor është i përshtatshëm me karakterin që portretizon. Ka pasur nja dy vite të suksesshme në karrierën e tij, por ky është një rol që le në hije shumicën e roleve tjera që ka pasur ndër vite. Përqendrohet vetëm tek karakteri i tij i cili ndihmohet kohëpaskohe nga aktori Rizwan Manji (Man-shiti nga seriali jetëshkurtër ‘Outsourced’), dhe kuptohet nga gruaja e tij e, Golshifteh Farahani e cila nuk më kujtohet nga ‘Body of Lies’ e as nga ‘Exodus: Gods and Kings’. Të dy këta ndihmojnë karakterin dhe aktrimin e Driver, derisa skenari dhe regjia janë të përkryer në realizimin e qëllimit që ka.

‘Paterson’ është një film shumë i thjeshtë, i realizuar shkëlqyeshëm në çdo aspekt, por që dikujt mund ti plas nervat. Jo mua. Nota personale: 4/5