Recensime Filmash

The Passion of Joan of Arc (1928) – Recensim

Janë disa versione me gjasë të kësaj vepre kinematografike të veçantë. Unë e kam shikuar një version të gjetur nga Akademia Daneze e filmit, i cili mendoj se ka qenë pak më i shkurtër se sa pretendohet të jetë origjinali. Sidoqoftë, pjesët kryesore të filmit kanë qenë aty.

E filmi ka të bëj me heroinën Jeanne d’Arc, për të cilën ka më shumë gjasa të keni mësuar në lojën Age of Empires se sa në librat e historisë. E historia e saj është goxha e thjeshtë ndoshta. Ajo ka qenë një e bijë fshatare gjatë periudhës së Luftës Njëqind Vjeçare ndërmjet Mbretërisë së Francës dhe Anglisë (1337-1453). Gjatë pushtimit të Francës nga anglezët, Jeanne kishte pasur vizione nga figura të shenjta që Princi Çarlsi VII do të kurorëzohej mbret. Me të dëgjuar këtë, princi kishte marr Jeanne dhe e kishte dërguar në betejë të cilën e kishte fituar lehtë. Më pas ajo ishte kapluar nga anglezët. Këtu nis rrëfimi i këtij filmi.

Filmi është pa dialog. Por, dialogu nuk të nevojitet fare. Ka një kolonë zanore, një muzikë filmi më saktë që të bën të ndjesh ngjarjet, të kuptosh çfarë po ndodh edhe nëse nuk e sheh fare. Është një nga madhështitë e këtij filmi, e cila shoqërohet me një regji ‘ndryshe’.

Karakteret kapen nga afër, e tërë koka e karakterit pothuajse kap ekranin. Ka skena edhe nga distanca, edhe nga gjysmë-distanca ta quaj. Por, skenat nga afër që kapin fytyrën e karaktereve janë të shkëlqyeshme. Kjo edhe si rrjedhojë e aktrimit i cili mbizotërohet nga një mimikë e përsosur e emocioneve. Sidomos nga aktorja kryesore, Marie Falconetti. Emrat besoj që një pakicë e vogël i kanë parë në vepra tjera. Megjithatë është gjynah të mos përmendim Carl Theodor Dreyer i cili bën një regji të përsosur.

Ka një dialog të shkruar të shkëlqyeshëm. Është temë dashurie në atdheun, në Zotin! Një rrëfim i shtjelluar e i aktruar me plot pasion.

Është një vijë e ngushtë ndërmjet besimit edhe çmendurisë, ndoshta!

Ju mbetet juve të vendosni se a është shenjtore apo e çmendur Jeanne d’Arc! Por, aktrimi i Falconettit s’do të ju lë shumë hapësirë për të menduar shumë. Nota personale: 5/5