Filma

Ove Land – Oskarët 2017 (3)

Damien Chazelle është njëri nga inovatorët më të mëdhenj në kinematografi. Këtë e bën duke nxjerr diçka të veçantë nga tregimet e ngjarjet më të thjeshta. Derisa ‘Whiplash’ ka qenë torturë mazohiste për neve si shikues derisa jemi kënaqur me aktrimin për Oskar të JK Simmons, ‘La La Land’ është rrugëtim ëndërrimtar plot hare dhe dashuri. Thjeshtësia e bën plotë kënaqësi dhe gazmend këtë film derisa ndjekim një çift që pasqyron identitetin e shumë prej neve.

Emma Stone e Ryan Gosling thuhet se kanë qenë vetëm përzgjedhja e dytë e Chazelle, por dyshoj që Emma Watson e Miles Teller do të kishin qenë më të mirë. Derisa Emma Stone do të duhej të merrte Oskarin për aktoren më të mirë, Gosling do të duhet të provoj fatin viteve tjera. Jo pse aktrimi i tij është i pamjaftueshëm, por sepse konkurrenca është më rigoroze. Skenari, regjia, e filmi s’do të duhej të viheshin në dyshim.

Fitorja e ‘La La Land’ do të ishte fitore e artit të pastër, të çiltër, pa interesa e qëllime dytësore në përçimin e mesazheve politike e shoqërore. ‘La La Land’ është tregim për dy veta, dy rrëfime të cilave nuk ju intereson asgjë pos ëndrrës dhe dashurisë.

Derisa ‘La La Land’ është njëri ndër filmat më të mirë të dekadës së fundit do të thosha, Ove është njëri nga karakteret që më ka pëlqyer më së shumti këtë vit. Është film suedez i cili është në rrethin e ngushtë të përzgjedhur për tu nominuar për kategorinë e filmit të huaj. Për dallim prej fituesve të fundit të cilët kanë pasur tematika të luftës së dytë botërore, ky film sjell diçka sociale, më të butë se ‘Amour’ e ‘A Separation’ si shembull. Është tregim që më ka kënaqur, për shumë arsye, përfshirë edhe pjesën komike në disa raste. Nuk pres të fiton Oskarin, edhe pse më duhet të pranoj që ka filma me tema më sociale, larg luftës.

Për mua, për momentin por me pak gjasa për të ndryshuar dyshja e parë, treshja e filmave më të mirë të vitit të kaluar janë – La La Land, A Man Called Ove, dhe Zootopia. Kandidatët për Oskar për filmin më të mirë – Moonlight, La La Land, e Fences. Për këta dy filma dhe ‘Hidden Figures’ në numrin e radhës.