Oskarët 2016 – Analizë

 

  1. Shoku

Nominimi i filmit Shok pa dyshim që është ndër arritjet më të mëdha të kinematografisë kosovare. Akoma nuk kam parë filmin pasi për kushedi çfarë arsye producentët kanë vendosur të mos e shfaqin para natës finale së Oskarëve (sonte, ora 21:30 në RTK), ama në përgjithësi mendoj që do të shërbej si një frymëzim për zhvillimin e produkteve më cilësore filmike gjatë viteve në vijim.

Fitimi i Oskarit do të ishte një ngjarje madhështore, dhe sipas kritikave të fundit, nuk është larg mendsh. Ama, Akademisë nuk i dihet, dhe nëse ne jemi të ngopur me filma që trajtojnë ngjarjet e luftës, Akademia ka pasur filma me tema tjera, dhe kjo mund të jetë një faktor shtesë në triumfin e Shok.

Vet nominimi është hap gjigant i kinematografisë kosovare. Shpërblimi do të ishte diçka jashtë kufijve. Të shpresojmë tek e dyta.

  1. Filmi

Fitues i sivjetmë për filmin më të mirë është Spotlight. Filmi edhe është i realizuar mirë edhe ka një temë që kërkon vëmendje më shumë në SHBA. Ka kast të shkëlqyeshëm aktorësh, derisa puna pas kamerave hiq nuk mbetet më mbrapa. Është film i kompletuar që arrin ta kryej misionin me plot zell. Në mesin e dy favoritëve tjera, nën hije do të mund të ishin The Revenanti e The Big Short. Ka kohë që Akademia vë para artin e skenarit para atij vizual, dhe The Revenant së bashku me The Martian e Mad Max dominojnë në aspektin vizual më shumë duke mbetur inferior në skenar ndaj të nominuarve tjerë. Room është menjëherë pas Spotlight në listën time të filmave më të mirë të vitit, dhe derisa fitorja e Room do të ishte një befasi, gjasat për të ndodhur janë të vogla. Spotlight do të duhej të ishte pas Birdman në listën e filmave që kanë fituar Oskar për filmin më të mirë të vitit.

  • The Big Short
  • Bridge of Spies
  • Brooklyn
  • Mad Max: Fury Road
  • The Martian
  • The Revenant
  • Room
  • Spotlight

 

  1. Pas kamerave

Regjia

Që nga momenti i parë kur nis filmi vërehet qasja e veçantë që ka Inarritu në zejen e tij. Ngjashëm si Birdman vitin e kaluar, edhe këtë vit Inarritu arrin të sjell një kryevepër që të mban të lidhur për tregimin gjithë ato dy orë e tepër sa zhvillohet ngjarja. Puna e tij në The Revenant në përgjithësi nuk mendoj që e kalon Birdman-in ama në krahasim me të nominuarit e tjerë është më superiore. I vetmi që mund ti afrohet është George Miller me Mad Max. Aty ai sjell një adrenalinë maksimale që tejkalon edhe The Revenant. Lenny Abrahamson bën punë të shkëlqyeshme tek Room, derisa Adam McKay përkundër punës së mirë, historia nuk e lë të fitoj Oskar qysh në tentimin e parë. E njëjta vlen edhe për Spotlight, edhe pse të dy mund të befasonin.

  • The Big Short
  • Mad Max: Fury Road
  • The Revenant
  • Room
  • Spotlight

Skenari

Skenari origjinal më i mirë i vitit për mua është Inside Out. I dyti Ex-Machina. Të dy sjellin diçka tepër origjinale në kinematografi, edhe pse punë me robotë kemi pasur edhe më parë. Favorit për të fituar pa dyshim që është Spotlight, derisa dy të tjerët duhet të kënaqen me nominimin.

The Big Short do të duhet të kënaqet me Oskarin në skenar të adaptuar. Personalisht Room më ka pëlqyer shumë më tepër, dhe këta i shoh si dy favoritët kryesor. The Martian mund të befasoj, derisa Brooklyn e Carol janë autsajdera.

Origjinal

  • Bridge of Spies
  • Ex-Machina
  • Inside Out
  • Spotlight
  • Straight Outta Compton

Adaptuar

  • The Big Short
  • Brooklyn
  • Carol
  • The Martian
  • Room

 

  1. Aktrimi

Aktori kryesor

Përfundimisht është viti i Leonardo DiCaprios. Jo që bën diçka më të veçantë se vitet e kaluara kur edhe ishte në krye të detyrës por sepse të tjerët nuk ka atë të veçantën që do t’ia merrte DiCaprios Oskarin këtë vit. Bryan Cranston është shumë i mirë në Trumbo, Redmayne sjell anën feminine në The Danish Girl, e Michael Fassbender sjell ligësinë e Steve Jobs, derisa Matt Damon ofron diçka normale. Asnjëra nga këto nuk tejkalon borxhin që Akademia ka ndaj Leonardos, i cili thjesht është i shkëlqyeshëm në The Revenant.

  • Bryan Cranston – Trumbo
  • Matt Damon – The Martian
  • Leonardo DiCaprio – The Revenant
  • Michael Fassbender – Steve Jobs
  • Eddie Redmayne – The Danish Girl

Aktori dytësor

Jacob Tremblay ka merituar nominimin. Së paku ka qenë më i mirë se Tom Hardy e Christian Bale për filmat në të cilët janë nominuar. Mark Ruffalon jemi mësuar ta shohim në limite të një karakteri human, limite që përsëri sfidohen tek Spotlight. Mark Rylance ka qenë karakter fantastik tek Bridge of Spies. Qetësia e tij, injorimi ndaj asaj që i ndodh karakterit të tij të lë pa fjalë, të çmend. Në fakt, Rylance është i vetmi që mund ti marr Oskarin Stallones. Aventurat e Rockyt, e fundit, meriton një Oskar për atë çfarë bën në Creed.

  • Christian Bale – The Big Short
  • Tom Hardy – The Revenant
  • Mark Ruffalo – Spotlight
  • Mark Rylance – Bridge of Spies
  • Sylvester Stallone – Creed

Aktorja kryesore

Cate Blanchett ka pasur role shumë më të mira. Me nominimin për Carol sikur po kalon në një Meryl Streep 2.0. I mirë apo i keq, filmi apo aktrimi, Blanchett nominohet. E kjo nuk është fer. Saoirse Ronan dhe Charlotte Rampling nominohen për portretizime të roleve të shkëlqyeshme, sidomos Rampling. Jennifer Lawrence ishte e vetmja shkëndijë nga ‘Joy’ i David O. Russell i cili gjithnjë nxjerr maksimumin nga JLaw. E fituesja e pakontestueshme duhet të jetë Brie Larson e cila arrin të sjell rolin e karrierës me performancën e nënës në filmin Room. Harmoni skenike sikur ajo e Brie Larson me Jacob Tremblay ka kohë që s’kam parë. Është kjo që e bën Room njëri ndër filmat më të mirë të vitit.

  • Cate Blanchett – Carol
  • Brie Larson – Room
  • Jennifer Lawrence – Joy
  • Charlotte Rampling – 45 Years
  • Saoirse Ronan – Brooklyn

Aktorja dytësore

Ka qenë viti i Alicia Vikander. Ky vit duhet ta shpërblej aktoren suedeze me Oskar të mëritur plotësisht. Tek The Danish Girl jep atë finalen e një viti me plot performanca të shkëlqyeshme, nisur nga Ex-Machina. Jennifer Jason Leigh ka qenë e hatashme tek The Hateful Eight, por hiq më mbrapa nuk mbeten Rachel McAdams e Kate Winslet, të dyja në role shumë më ‘normale’ të aktruar për mrekulli. Rooney Mara ka pasur aktrime më të mira. Do të ketë edhe shumë më të mira se sa ky në Carol.

  • Jennifer Jason Leigh – The Hateful Eight
  • Rooney Mara – Carol
  • Rachel McAdams – Spotlight
  • Alicia Vikander – The Danish Girl
  • Kate Winslet – Steve Jobs

 

  1. Ngjyrat

Kinematografia

Nominimi i Sicario ka qenë shumë i merituar. Ka ngjyra tepër të bukura edhe përfshirë ambiente të hapura e të mbyllura që varen jo vetëm nga ndriçimi artificial. Ka një fotografi tepër të bukur, të mrekullueshme nën përkujdesjen e Roger Deakins i cili ka një bashkëpunim shumë të mirë Denis Villeneuve. Ky bashkëpunim nuk mbetet aspak larg Prisoners.

Ama, Mad Max: Fury Road dominon vizuelisht në shumë aspekte, përfshirë edhe kinematografinë. Janë një grup i filmave i zgjedhur me plot mëritë, dhe për mendimin tim është një kategori e baraspeshuar. Favoriti im Sicario, fituesi do të duhej të ishte Mad Max: Fury Road.

  • Carol
  • The Hateful Eight
  • Mad Max: Fury Road
  • The Revenant
  • Sicario

 

Kolona zanore

Muzika, ose kolona zanore në film është një faktor që i jep shije një filmi. Diçka që na kënaq veshët, që gjithnjë na ka kënaq veshët ka qenë vepra e Ennio Morricones, vepër që më në fund duhet të shpërblehet me Oskar. Është kategori e mbushur me legjenda të kolonave zanore si John Williams me Star Wars e Carter Burwell me Carol. Kolona zanore nuk ka dëshpëruar në asnjërin nga filmat e nominuar, por është koha për Morriconen. E meriton edhe ashtu këtë vit, dhe për tërë atë që ka bërë bërë deri më tani.

  • Bridge of Spies
  • Carol
  • The Hateful Eight
  • Sicario
  • Star Wars: The Force Awakens

Dokumentari

Fituesi është i qartë në këtë kategori – Amy. Është dokumentar biografik i shkëlqyeshëm, sjell të mirat e të këqijat, të gjithë perspektivat në dispozicion, dhe atë nga njëri prej filmbërësve më të mirë të dokumentarëve kohëve të fundit – Asif Kapadia. Më ka pëlqyer së tepërmi edhe dokumentari për Nina Simone që është më shumë se vetëm një biografi. Është edhe një luftë kundër racizmit dhe diskriminimit gjinor. The Look of Silence sjell një dyluftim televiziv të ngjashëm me atë të Ebertit, Cartel Land dhe Winter on Fire sjellin (pa)fuqinë e popullit në luftë kundër të keqes. Favoriti im dhe për të fituar – Amy.

  • Amy
  • Cartel Land
  • The Look of Silence
  • What Happened Miss Simone?
  • Winter on Fire: Ukraine’s Fight for Freedom

Filmi i animuar

Njëjtë si tek dokumentarët edhe tek filmat e animuar fituesi është i pastër si loti. Nuk ka film me skenar më të mirë se Inside Out që është shfaqur vitin e kaluar. Dhe kur them film përfshij edhe filmat jo të animuar. Sjell një temë origjinale, një botë të pashtjelluar më parë, as me anë të vizatimeve. Është thjesht film i përkryer, i përshtatshëm për çdo moshë.

When Marnie Was There është film me temë pak më të butë se ato që kemi zakonisht nga Lindja e Largët. Nuk i afrohet Princess Kaguya. Anomalisa është humbje kohe. Dy të tjerët nuk kam arritur ti shoh, edhe pse Boy and the World së paku nga trailerat premton të jetë një prodhim i bukur që mund të befasoj Inside Out që akoma mbetet favorit im dhe për të fituar.

  • Anomalisa
  • Boy and the World
  • Inside Out
  • Shaun the Sheep Movie
  • When Marnie Was There

 

You might also like