Non-Stop (2013) – Recensim

non-stop

Së fundmi, me ‘Taken 2’ më saktësisht, disi cilësia e filmave me Liam Neeson në rolin kryesor merrte një ngjyrim të njohur si batutat me Chuck Norrisin. I vetëm karakteri i tij luftonte një ushtri të tërë, pa përjashtuar edhe një tufë të ujqve të egër.

Vet premisa e filmit ‘Non-Stop’ të bën të dyshosh që edhe ky film nuk do të ndryshoj shumë nga ata tjerët që përmenda. Por, nëse mendoni kështu siç mendova edhe unë, do të gaboheni. Pra, karakteri i Liam Neeson është një agjent i cili fluturon në udhëtime të ndryshme me qëllim që të ofroj sigurinë dhe të parandalojë ndonjë rrëmbim eventual të aeroplanëve.

Rasti i tij i fundit duket të jetë një rrëmbim më i komplikuar se zakonisht. Një kriminel që e kontakton vetëm me telefon dhe duket se ka sy brenda aeroplanit i bën shantazh atij duke kthyer të gjithë si jashtë edhe brenda aeroplanit të besojnë se vet karakteri i Neeson është rrëmbyesi i aeroplanit.

Kjo është vetëm pjesa e parë interesante e skenarit të filmit, që më ka befasuar për të mirë duke tejkaluar pritet e mija fillestar. Skenari bëhet më i shkëlqyeshëm në pjesën e dytë me lloj-lloj rrotullimesh. Misteri nis nga fillimi i filmit dhe të bën të dyshosh në secilën fytyrë që kap kamera, deri në fund. Kjo e bën filmin të shkëlqyeshëm – misteri dhe dyshimi në secilin, përfshirë edhe vet karakterin e Neeson.

E Neeson së fundmi është mësuar të bëj kësisoj filma aksion. Edhe nuk është se dështon në këtë zeje, përkundrazi vetëm sa e përsos dita e ditës. Por, përsëri disi të merr malli për të parë në karaktere si Oskar Schindler. Megjithatë Neeson është më shumë aktor për filma aksion se sa filma më artistik.

Impresionues është edhe kasti i filmit. Pos Neeson kemi edhe Julianne Moore, e Lupita Nyongo, të dyja të nominuara për Oskar, me Moore që ka një përvojë të hatashme dhe gjithashtu edhe një rol më të madh në film edhe pse jo statujën e Oskarit. Interesant është edhe aktrimi i Michelle Dockery dhe Corey Stroll, të cilët ishte përvojë e mirë ti shihje jashtë karaktereve që jemi mësuar ti shohim në serialet ‘Downton Abbey’ dhe ‘House of Cards’ respektivisht. Ngjashëm edhe Scott McNary që vjen nga ‘Halt & Catch Fire’, dhe Nate Parker që nuk ka aq përvojë në ekranin e vogël.

Në përgjithësi film më i mirë se që kam pritur. I realizuar shumë mirë, me skenar interesant që të mban interesimin deri në fund. Nota personale 4/5.

You might also like