Film

Njerka – Oskarët 2017 (8)

Është një moment tek ‘Loving’ ku Ruth Negga dëgjohet aq pastër duke ngrehur hundët sa që të bën të ndjehesh i gërditur derisa përfytyron lëvizjen brenda hundës, dhe njëkohësisht çmon atë për përjetimin aq real të emocioneve. Disi është e ndrojtur si karakter përgjatë tërë filmit, e shtypur por e heshtur. Ka një paraqitje të mrekullueshme dhe ndoshta është gjëja më e mirë nga ky film. Por, Oskari për aktoren më të mirë zor që do ti shkoj asaj.

Në kategorinë e aktores më të mirë Oskari s’do ti shkoj as Meryl Streep e cila e ka bërë nominimin gjë të zakonshme. Kësaj radhe e meriton për aktrimin e një gruaja jo aq të zonja. Pra, nominohet për interpretimin e diçka të keqe. Pa shanse për Oskar është edhe Nicole Kidman në kategorinë për aktoren më të mirë dytësore. Për të njëjtën arsye për të cilën Streep nominohet në kategorinë për aktoren më të mirë, në kategorinë për aktoren dytësore nominohet Michelle Williams. Ajo vërtetë ka një karakter jo të lehtë për të vënë në jetë, ama nuk ka ofron ndonjë gjë të veçantë që do të linte mbrapa paraqitjet e treshes së aktoreve favorite në kategorinë për rol dytësor.

Në këtë kategori Octavia Spencer sjell një paraqitje që mbetet në hije të Taraji P. Henson tek ‘Hidden Figures.’ Me kohën që ka arrijnë të jap maksimumin e kërkuar nga karakteri i saj, por për një nuancë mbetet mbrapa Naomie Harris e Viola Davis. E para sjell në jetë një karakter jo të lehtë – një nënë të trazuar e cila nuk e ka të lehtë të rrit të birin e saj i cili është në kërkim të vetvetes. Ka shumë skena emocione të cilat i kap me një grusht më të butë se të cilin e përdor Viola Davis tek ‘Fences’. Është e pandalshme në skenat e pjesës së dytë ku lë emocionet të lira, e që si rezultat ofron një paraqitje shembullore. Për mua, Viola Davis meriton Oskarin për aktoren më të mirë në rol dytësor.

Për aktoren më të mirë në rol kryesor Natalie Portman e Emma Stone meriton të ndajnë Oskarin ndërmjet vete. Por, mos të përjashtojmë Isabelle Huppert. Më shumë ka ndikim karakteri të cilin portretizon se aktrimi i saj i cili mendoj që nuk është më i miri nga filmat në të cilët ka aktruar vitin e kaluar. Dhe kur kemi parasysh që Portman tashmë ka një Oskar, ndoshta votuesit do të shkonin me Emma Stone e cila nga një muze e re e Woody Allen për filmat e të cilit mendoja se do të merrte nominimin e saj të parë, vjen me një paraqitje të jashtëzakonshme në një film nga një regjisor dyfish më i ri se Allen. Viola Davis e Emma Stone për mendimin tim, për shijen time meritojnë Oskarët tek femrat këtë vit.

Por, aktorja e cila ka shpërthyer këtë vit është padyshim Janelle Monae. Ka dy paraqitje të mjaftueshme për tu konsideruar për nominim në ‘Hidden Figures’ e ‘Moonlight’. Me vendime e përzgjedhje të duhura, vitin e ardhshëm do të mund ta kemi në mesin e të nominuareve.