Film

Ngjyra e thjerrëzës – Oskarët 2017 (7)

‘Oskari për regjinë më të mirë i shkon Damien Chazelle’ – është fjalia që duhet të thuhet nga kushdo që jep Oskarin për regjinë më të mirë. Pa pasur nevojë të hapet zarfi, të lexohet emri. Thjeshtë, Damien Chazelle.

Në rregull, ‘Whiplash’ ka qenë vepra e tij e parë si regjisor dhe ndoshta ka qenë herët për ta shpërblyer me Oskar. Dhe dorën në zemër kundër Inarritus me ‘Birdman’ do të ishte ndoshta çudi të merrte tjetër kush Oskarin për regjinë më të mirë. Çudi edhe më e madhe, bile poshtërsi do të ishte po të merrte dikush tjetër Oskarin në këtë kategori këtë vit.

Chazelle mund ta konsiderojmë edhe njëlloj revolucionari në kinematografi me çmenduritë që po bën. Kreativitetit të tij ia kalon vetëm kuraja që ka për të eksperimentuar me gjëra të ndryshme. Tek ‘La La Land’ ai përzien më të mirat që ka njohur kinematografi deri tashti, për ti shtuar edhe realitetin e hidhët të egoizmit të qenieve njerëzore. Dhe të gjitha këto i sjell me një ngjyrë dhe fotografi parajse.

Derisa Damien Chazelle është botë tjetër, të katër nominimet tjera mund të konkurronin baras me njëri-tjetrin. Nga të katërtit do të zgjedhja Kenneth Lonerganin me ‘Manchester…’ Bën një punë të bukur në kapjen e skenave nëpër periudha të ndryshme të cilat arrijnë të ndërlidhen ndërmjet vete. Pastaj janë skenat e ndjeshme të cilat i sjell pa zhurmë tek ne, diçka që vlen për tu çmuar. Mel Gibson me ‘Hacksaw Ridge’ i cili kap luftën me një mënyrë të veçantë, e ndjek atë para Deni Villeneuve me ‘Arrival’. Po, ‘Moonlight’ i Barry Jenkins sjell një fotografi të bukur, por megjithatë pos ngjyrave s’do të veçoja për ndonjë aftësi të veçantë në regji. Si për ironi, ky mund të jetë i vetmi që do të rrezikonte Damien Chazelle për këtë titull. Por, titulli s’do të ishte për merita artistike sa për inate politike në rast se do ti jepej Jenkinsin.

Edhe kinematografia do të duhej ti takonte Linus Sandgren me ‘La La Land’. Pos, ‘Moonlight’ e ‘Arrival’ janë edhe ‘Silence’ e ‘Lion’ të nominuar. Për ‘Silence’ s’do të mund të flisja shumë edhe pse nëse ka arritur të kap Lindjen e Largët me të gjitha bukuritë fotografike që ka s’do të duhej të nënçmohej.

Regjia dhe kinematografia i takojnë një bote tjetër, i takojnë ‘La La Land’ që bën fotografinë të vallëzoj.