TV

Netflix mes nesh

Netflix – rrjeti më i njohur VOD tani më është i qasshëm në nivel global, për të gjithë, përfshirë edhe neve kosovarëve të cilët plasmi kur nuk na lejon të shohim një video të thjeshtë në YouTube.

Besoj që shumica kanë dëgjuar për Netflix, që është një popcorn time legal, një Facebook i social mediave në VOD, apo një google e makinave kërkuese, porse për VOD. VOD – video on demand, që do të thotë se mund të shihni çka t’doni, kur t’doni, ku t’doni. Nëse mbeteni në minutën 3:43 të episodit të 12 të sezonit të pestë të Friends, mund të ktheheni pas disa muajve dhe të vazhdoni në atë pozitë ku keni mbetur.

Tashti, oferta e Netflix ka ndryshuar varësisht prej lokacioneve, ama në shikim të parë nuk po duket shumë e varfër për neve në Kosovë. Sigurisht që është më e mirë se iTunes e Google Play Store.

Së pari në dispozicion janë të gjitha serialet që prodhon vet Netflix – Narcos, Jessica Jones, Daredevil, Orange is the New Black, Daredevil, Sense 8, Marco Polo, (duket se mungon House of Cards). Pastaj janë disa nga serialet më të popullarizuara për momentin si Better Call Saul, How to Get Away with Murder, Brooklyn Nine-Nine, The Blacklist, Peaky Blinders, Arrow, Suits, Bates Motel, Ray Donovan, The Originals, Pretty Little Liars, etj. Spartacus, Under The Dome, Breaking Bad, si dhe favoriti në mesin tonë That ‘70s Show, që kanë përfunduar janë në ofertën që vlen edhe për neve këtu në Kosovë.

Hiq më keq nuk ishte as oferta e filmave me tituj që janë shpërblyer me Oskar – Gravity, The Dark Knight, Lord of The Rings, Argo, Shrek, Good Will Hunting, La Vita e Bella, Forrest Gump, Inception, Goodfellas, Godfather, Saving Private Ryan, Roman Holiday, To Kill a Mockingbird, Casablanca, Gone with the Wind, e shumë tjerë.

Ka edhe shumë stand-up shfaqje, dhe prodhime dokumentarësh – kryesisht nga Netflix e PBS, por edhe seriale e filma tjerë.

Megjithatë, Netflix nuk ofron gjithçka. Do të ju nevojitet ndoshta akoma VPN për të kaluar në vende tjera, për të shijuar tituj tjerë. Gjithashtu edhe një problem tjetër mbetet problemi i pagesës pasi procedurat për kartela krediti, e Paypal janë mjaft të komplikuara këtu tek ne. Gjithashtu nuk ka titra.

Por, ardhja e Netflix (jo vetëm tek ne), shërben si një ‘heqje vizash’ për neve që shohim seriale e filma. Është një hap larg ‘the content isn’t available in your country’, është një hap larg izolimit. Nuk është kushedi çka, dhe nuk ka ndodh veç për neve, ama thjesht, për dikë që ka vuajtur për të kaluar në legalitet, është një frymëmarrje më e lehtë.

Shpresojmë që të jetë hapi i parë në këtë vit që më në fund do të çlirohemi nga ky izolim sa fizik, aq edhe digjital.