Filma Recensime Filmash

Mr. Holmes – Recensim

“Kur e eliminon të pamundrën, çka do që mbetet dhe sado e pamundur që duket, ajo duhet të jetë e vërteta.” – Sherlock Holmes

Nuk ka dyshim se karakteri i Sherlock Holmesit krijuar për herë të parë nga Sir Arthur Conan Doyle, është nga më të njohurat në botën e artit letrar dhe kinematografik. Kur përmendet emri i tij, na kujtohet një burrë të moshës mesatare, me veshje elegante, kapelë dhe duke thithur një llullë, njeri tepër intelegjent mirëpo shumë asocial dhe pandjenja. Me këtë përshkrim kemi patur rastin të shohim aktor të ndryshëm duke luajtur në projekte filmike dhe seri të ndryshme gjatë kohërave të ndryshme.

mr-holmes-ian-mckellen

Sido qoftë, kësaj here filmi Mr. Holmes nën regjin e Bill Condon, detektivin karizmatik e shohim nga një kënd krejtësisht ndryshe. Bazuar në novelën e Mitch Cullin të titulluar “A Slight Tick Of The Mind – Shpërfillje e vogël e Mendjes” rrëfehet jeta e zt. Holmesit pas përfundimit të karierës së tij si detektiv privat në moshë të shtyer. Ngjarja rrëfehet dikur rreth vitit 1947 pas përfundimit të luftës, Zt. Holmes (Ian McKellen) kthehet në shtëpin e tij private në fshatin Sussex ku jeton me kujdestaren e shtëpisë znj. Munro (Laura Linney) dhe djalin e saj Roger (Milo Parker). Duke u munduar ta jetoj një jetë të thjeshtë me kujdesin për bletët e tij që i ka pasion, gjithashtu mundohet të shkruaj për rastin e tij të fundit e cila në fakt edhe e ka shtyer të tërhiqet nga puna e tij prej detektivit si dhe ngjarje kjo e cila e ka mundur emocionalisht dhe i ka shkaktuar “një rrëshqitje të vogël të mendjes”. Zt. Holmes ka probleme me kujtesën, mirëpo lidhja e tij emocionale me djaloshin Roger i kthen kujtime nga e kaluara e tij. Kujton rastin e tij të fundit që ka punuar me znj. Ann Kelmot (Hattie Morahan) si dhe rrugëtimi i tij në Japoni tek zt. Tamiki Umezaki (Hiroyuki Sanada).

Skenari është ndërtuar shumë bukur, ku ngjarjet e Sherlock Holmes-it zhvillohet me sekuenca të ndryshme dhe jolineare. Herë rrëfehet jeta aktuale e tij gjatë pleqëris në shtëpinë e tij, e herë kthehet në ngjarje të ndryshme në të kaluarën e tij. Sir Ian McKellen ka pasë një paraqitje të shkëlqyer, në fakt nuk besoj që do t’gjendej një aktor tjetër që do ta luante më mirë rolin se sa McKellen. Bill Condon ka patur bashkpunime edhe tjera me McKellen (Gods and Mosnters, si dhe projekti i radhës Beauty and the Beast 2017), besoj që kjo edhe ka dhënë rezultate të mira si në përzgjedhjen e rolit poashtu edhe në performancën e tij. Pa dyshim që edhe Laura LInney ka dhënë një performancë tepër të bukur, duke patur parasysh se karakteri i saj znj. Munro nuk ka ekzistuar asnjë herë në projektet tjera filmike të Sherlock Holmesit. Ajo me mjeshtri të madhe ka arritur ta paraqes një grua vejushe e cila përpiqet të bëj gjithçka për t’i siguruar një jetë më të mire djalit të saj Roger. Gjithashtu Milo Parker një djalosh shumë i talentuar i cili tregon potencial të madh me lidhjen e tij emocionale si dhe interesimin e tij për të mësuar gjithçka nga detektivi i famshëm. Aktori im i preferuar nga lindja e largët  Hiroyuki Sanada me ato pak paraqitje gjithashtu i plotëson shumë bukur fragmentet e jetës së zt. Holmesit.

Mendjemprehtësia dhe karizmi i Sherlock Holmesit padyshim që vërehet edhe në këtë projekt filmik, mirëpo ajo që e dallon karakterin e tij nga filmat/serit tjera është se Mitch Cullin është përpjekur ta zbriti nga piedestali figurën e Sherlock Holmesit të cilën Dr. Watson e ngriti në shkrimet e tij. Shohim një Sherlock Holmes më të zakonshëm, emocional, të kujdesshëm dhe të dashur për të tjerët.

Vlenë të përmendet edhe kolona zanore e cila i jep madhështi filmit. Carter Burwell ka marr pjesë në projekte të mëdha filmike, e edhe tek Mr. Holmes ka arritë të realizoj me mjeshtri muzikë e cila shumë bukur shkon me natyrën e ngjarjeve. Përfundimit mendoj që Bill Condon ka bërë një punë të mirë me filmin, një vepër që asesi nuk bën t’ju mungoj fanatikëve të detektivit karizmatik, sociopatit Sherlock Holmes.

______________________

Kushtrim R. Krasniqi