Recensime Filmash

Moana (2016) – Recensim

Ron Clemens ka munguar për disa vite, por kjo nuk është gjë e pazakontë për të. I pazakontë nuk është as nominimi i tij për Oskar. Tani me Moanën.

E Moana është një vajzë e cila jeton në ishujt e Polinezisë antike (po, disa nga vendet e këtij arkipelagu na kanë njohur si vend i pavarur) e cila niset në mision për të kthyer në jetë ishullin e saj. Atdheun e saj e ka goditur një mallkim i tmerrshëm nga gjysmëperëndia Maui. Moana është e bija e Chieftain, nëna e të cilit bekon Moanën për tu nisur në misionin e lartpërmendur. Gjyshja e saj, ngjashëm si Moana ka një komunikim të veçantë me ujin, oqeanin. Dhe, Moana niset në misionin e saj, me një mysafir të këndshëm i cili vjen si një karakter ndihmës, gjithmonë i mbushur me komedi për të mbajtur baraspeshën e filmit.

Filmi është një aventurë e bukur, e këndshme, origjinale. Origjinale them sa i përket zhvillimit të skenarit, ngjarjes; ndërkohë filmat për heroinat së fundmi janë bërë një trend në kinematografinë amerikane. Ky trend që po sjell një fytyrë tjetër të heroinave të filmave të cilat janë më shumë se vetëm ‘princesha në pritje të princit dhe puthjes së tij’ është më se i mirëseardhur. ‘Moana’ nuk mbetet mbrapa ‘Brave’ e ‘Frozen’. Mbi të gjitha ndihmohet edhe pjesën muzikale që përmban, e pjesë e cila i jep një hijeshi shtesë filmit.

Ron Clemens ka me vete një ekip regjisorësh dhe skenaristësh të suksesshëm, ndër ta edhe Chris Williams e Don Hall, e që të gjithë me përvojë në botën e filmave të animuar. Si rezultat kemi një punë të shkëlqyeshme në rrëfimin e tregimit dhe sjelljen e animacioneve tek sytë tanë. E as vokalet nuk dëshpërojnë. Ndoshta ka qenë e çuditshme për dikë të dëgjoj emrin e Dwayne Johnson, mirëpo ai ka qenë i mirë edhe në rolin e prindit apo kujdestarit të fëmijëve në filma paraprak. Përvoja e tij vërehet në zërin e Mauit, derisa emra tjerë nuk janë edhe aq të njohur, por nuk mbeten aspak inferior.

‘Moana’ mbetet një film bukur i shtjelluar, me animacione e tregim të shkëlqyeshëm. Vazhdon trendin e heroinave në mënyrën më të bukur të mundshme. Nota personale: 4/5