Me Before You (2016) – Recensim

me before you

Jeta është e paparashikueshme. Del një mëngjes me shi nga banesa shëndosh e mirë dhe të godet mjeti që është 27fish më vdekjeprurës se sa vetura, motoçikleta (shifrat zyrtare në SHBA për vitin 2014). Si pasojë mbetesh i palëvizshëm dhe i ngujuar për një karrige hendikepi për pjesën e mbetur të jetës. Këtë fat e kishte pasur karakteri kryesor i romanit të Jojo Moyes i përkthyer në film nga vet autorja e librit.

Will Traynor pas aksidentit është mbyllur në një hapësirë të kështjellës familjare duke këputur çdo lidhje me njerëzit e tjerë. Tani ai ka nevojë për një ndihmëse. Dhe ndihmësen e gjen në nënën e dragonjve. Dhe ajo nuk vjen e vetme nga Westeros. Sikur për Willin, jeta ka qenë e paparashikueshme, por jo aq mizore edhe për atë që ka hy në tualet dhe nuk ka dal më! Spoiler?! Pos, Tywin Lannister, Khaleesit, këtu kemi edhe Clara Oswald – asistenten më të bukur të Doktorit deri më tash. Mos të harroj edhe Neville Longbottomin!

Mos u bëni merak nëse s’keni kuptuar pjesën e dytë të paragrafit të kaluar. Ajo çfarë ka rëndësi është që ‘Me Before You’ sjell një tregim ngrohës për zemër, një dramë bukur të përpunuar, që ngjason në romancat e zakonshme filmike, por që sipas trendit gjithnjë po godet muret e ngjarjeve klishe, gjë që edhe këtë film e bën më të mirë.

Louisa Clark është një vajzë e ndryshme – ka shije të veçantë të modës. Punon për të mbajtur shtëpinë, është e çiltër, e hareshme, e dashur. Pas mbylljes së lokalit nis të kërkoj punë tjetër dhe këtë e gjen si ndihmëse e Willit. Këtu nis tregimi i këtyre dyve që është një histori tepër e përkryer për të qenë e vërtetë, gjë që personalisht nuk më ka pëlqyer. Thjesht, është diçka tepër joNormale!

E di që kjo ju pëlqen shumicës ndoshta, mirëpo do të kisha preferuar diçka më pak të përkryer, më pak klishe, më pak e zakontë. Por, megjithatë është diçka mirë e përpunuar, një tregim bukur i ndërlidhur. Si skenari ashtu edhe regjia nuk më dëshpërojnë. Hiq më inferior nuk është as aktrimi. Personalisht për mua ishte interesante të shihja karaktere nga Game of Thrones, Downton Abbey, Doctor Who, e Harry Potter në role pak më ndryshe. Që të gjithë bëjnë atë punën e tyre si duhet. Për këtë duhet të lavdëroj edhe skenarin që i ka gjetur secilit vendin e tij në film, rolin për të luajtur në tregim.

Pra, ‘Me Before You’ është një film i ngrohtë, bukur i realizuar, një dramë romantike e thjeshtë që nuk zhgënjen aspak. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik filmi

You might also like