Maniakat për DokuFest – E shtunë, 8 gusht

Nuk ka mënyrë më të mirë për të hapur këtë edicion të DokuFest se sa me dokumentarin e shpërblyer me Oskar – Citizenfour. Dokumentari sjell trilerin e bazuar në ngjarjet reale të Edward Snowden dhe kontaktet e tija me filmbërësen Laura Poitras dhe gazetarin Glenn Greenwald, të cilëve u dërgon dokumente që evidentojnë përgjimet e NSA-së. Snowden dhe tregimi i tij mund të konsiderohen si pishtarë të ndryshimeve ligjore që cenonin privatësinë e qytetarëve të thjeshtë pas Aktit Patriotik.

Pas Citizenfour në DokuKinoPllato shfaqet ‘Cartel Land’ – një dokumentar po aq revolucionar vetëm sa i pari, veçse në një botë edhe më brutale. Vjen tregimi për ‘El Doctor’ i cili udhëheq banorët lokal në kryengritje kundër sundimit të karteleve të drogës në Michoacan të Meksikës. Filmi është shpërblyer për kinematografi dhe regji në Sundance e Tribeca këtë vit.

Nata e parë sjell edhe dy dokumentare në kategorinë ‘Green Dox’. Të dy shfaqen në ora 20, me ‘How to Change the World’ në Dream Cinema, dhe ‘Planetary’ në Kino Kalaja. I pari sjell tregimin për një grup miqsh në një zonë nukleare dhe protestën e tyre që kap vëmendjen globale, e që njihet edhe si lëvizje pioniere në krijimin e ‘Greenpeace’ dhe lëvizjet simotra moderne. Ndërkohë ‘Planetary’ sjell një qasje provokuese për mendjet tona duke na bërë të rimendojmë dhe rishqyrtojmë lidhjen tonë me vetveten në një rrugëtim kinematografik që eksploron origjinën tonë kozmike dhe të ardhmen futuristike si specie që jemi.

Në Kino Kalaja në ora 22 shfaqet një film që pasqyron një ngjarje që kurrë nuk ka ndodhur – takimin e njerëzve me specie inteligjente nga hapësira. Është një film që do të ngazëllej të interesuarit për kozmosin dhe hapësirën, duke sjell skenarë të ndryshëm përgjigjesh në pyetjet më fundamentale të njerëzimit.

Në ‘Kino në Lum’ në ora 20, Cem Kaya sjell industrinë filmike turke të viteve ‘60ta dhe ‘70ta. Në këtë epokë që njihet si revolucioni i argëtimit në Azinë e Vogël, filmbërësit turq të përballur me censurën dhe problemet teknike dhe financiare si detyrë kryesore kishin ribërjen dhe kopjimin – shpeshherë inferior, të titujve Hollywoodian. Dokumentari është shfaqur në një mori festivalesh si: Locarno FF 2014. Berlinale 2015. IFFR Rotterdam 2015. DOK.fest Munich 2015. Göteborg IFF 2015. Edinburgh IFF 2015. IndieLisboa 2015. Documentarist, Istanbul 2015. Doc Aviv 2015.

Skemën e plotë ditore e gjeni në http://dokufest.com/2015/program/interactive-schedule/

Biletat mund ti blini në DokuShop tek Shadervani në Prizren, me çmim prej 2 eurosh.

You might also like