DokuFest

Maniakat për DokuFest – E premte, 14 gusht 2015

Filmat për migrim zënë vend sot tek Shtëpia e Kulturës. Në ora 14 shfaqen filmat ‘Minor Border’ dhe ‘I Am Dublin’. Tek i pari Lisbeth Kovacic sjell tregimin për rëndësinë minimale që ka kufiri ndërmjet Austrisë dhe Hungarisë pasi ishte transformuar në një ‘kufi Shëngeni’. Edhe 25 vite pas rënies së komunizmit, kufiri ekziston vetëm për të bërë ndarjen e standardeve të jetës ndërmjet këtyre dy vendeve. Tek i dyti, David Aronowitsch sjell tregimin e Ahmedit i cili portretizon jetën e tij gjatë të cilës për gjashtë vite ishte fshehur nëpër Evropë. Shenjat e gishtërinjve të cilat i kishte në lënë në Itali, në bazë të Rregullores së Dublinit e bëjnë atë peng azili të Italisë duke i mohuar atij qëndrimin në vendet tjera evropiane.

Në ora 16 vjen dokumentari ‘Letter to Poland’ që sjell rrugëtimin e regjisores polake Jola Wieczorek nëpër vendet tjera pos atdheut të saj; derisa ‘Of Stains, Scraps & Tires’ sjell tregimin e mbeturinave të sipërpërmendura që eksportohen për në Afrikë nga dy imigrantë somalez.

Në ora 18, në të njëjtin lokacion – Shtëpia e Kulturës, shfaqen dy filma nga kategoria ‘Jeta është tjetërkund’. Filmi ‘Smajl’ tregon historinë e kosovarit Ismajl Hoxhaj i cili ishte zhvendosur në vitet ‘70ta në Gjermani për të blerë një radio. Pas 40 viteve, periudhë gjatë të cilës ka blerë disa radio incizues, ai kthehet në Kosovë si pensionist, duke konfrontuar ndjenjat e tij patriotike dhe ëndrrat e fëmijëve të tij. Filmi tjetër ‘Floki’ tregon një storie të shkurtër të një djali i cili refuzon të dorëzohet para sëmundjes së të atit.

Në ora 22 në Dream Cinema shfaqet filmi ‘Lost Button/Izgubljeno dugme’. Renato Tomkovic sjell filmin biografik për bateristin tragjik të rock bendit të njohur jugosllav – Bijelo Dugme, tregimin e Goran Ipe Ivandic, i cili ishte dënuar me dy vite burg pasi i ishte gjetur hashash, dënim që i shkatërroi ëndrrat dhe talentin e tij prej artisti.

Në të njëjtën kohë në Kino Kalaja në kuadër të ‘Green Dox’ shfaqet filmi ‘Bicycle vs Cars’. Fredrik Gertten sjell tregimin për të mirat e biçikletës në krahasim me veturat, dhe dobitë që na sjell ngasja e saj si në shëndetin tonë, ashtu edhe në atë të planetit, duke shërbyer si një mjet i rëndësishëm kundrejt ngrohjes globale.

 

Skemën e plotë ditore e gjeni në http://dokufest.com/2015/program/interactive-schedule/

Biletat mund ti blini në DokuShop tek Shadervani në Prizren, me çmim prej 2 eurosh.