Maniakat për DokuFest – E martë, 11 gusht 2015

Dita e katërt e DokuFest nis me ‘Kang e Defa’. Është ky titulli i dokumentarit që do të shfaqet në ora 12 në KinoKlubi. Dokumentari vjen si një bashkëpunim i këngëtares Fatime Kosumi nga ANDRRA dhe Vincent Moon, një filmbërës i pavarur i cili njihet për realizimin e videove të bendeve si REM, Arcade Fire, e Beirut. Ata sjellin në këtë dokumentar traditën rapsodike të gjinisë së bukur në Kosovë. Ky dokumentar shfaqet si premierë botërore në DokuFest.

Menjëherë më pas vjen dokumentari SkaNdal. Nga regjisori Elton Baxhaku, filmi ndjek lëvizjen LGBT në Shqipëri, duke shfaqur edhe historinë e mahnitshme për zanafillat e lëvizjeve shoqërore dhe politike në Shqipëri, dhe suksesin e tyre. Është filmi i parë në shqip për çështjet LGBT.

Diçka më e mirë po vjen për Svalka-n. Kjo është lagjja më e madhe e bërllogut jashtë Moskës që është qyteti me numrin më të madh të miliarderëve për kokë banori. Svalka është vendi që udhëhiqet nga mafia, vendi ku Yula jeton një jetë normale me nënën dhe shoqet e saja. Është një vend ku bukuria dhe humanizmi zhvillohen në kushtet më të pavolitshme për to. Është një vend për të cilin Yula ëndërron ta ndryshoj jetën, edhe pse duket e pamundur. ‘Something Better to Come’ shfaqet në Kino Kalaja në ora 20 dhe vjen nga regjisorja Hanna Polak, e më parë është shfaqur dhe shpërblyer në disa festivale si – Special Jury Award – IDFA 2014. Best Documentary 2015 – EuroDoc, Oslo, Norway. Special Mention – ZagrebDox 2015. Alpe Adria Cinema Award – Best Documentary, Trieste FF 2015. DOK.fest Munich 2015. Documenta Madrid 2015. One World, Prague 2015.

Dashuria për filmin e vëllezërve Angulo vjen në dokumentarin ‘The Wolfpack’. Nuk është një aventurë e ‘wolfpack’-ut të ‘The Hangover’ me shumë fatkeqësi dhe situata të pavolitshme. Angulot ribëjnë skenat e filmave të preferuar të fëmijërisë me kostume dhe skena të ndërtuara nga vet ata. Pa miq dhe duke mbijetuar në ndihmë sociale, ata ushqejnë kuriozitetin, kreativitetin dhe imagjinatën në film, gjë që i lejon të ikin nga ndjenjat e izolimit dhe vetmisë. Ky film i Crystal Moselle është shpërblyer me Grand Jury Prize në Sundance FF 2015.

Njëherë pishtar i Perandorisë Kineze, tani qyteti i Datong është afër shkatërrimit. Pos që është qyteti më i ndotur në vend, ai gjithashtu është i goditur nga infrastruktura e lodhur, dhe prospektet e stagnuar ekonomike. Mirëpo, kryebashkiaku Geng Tanbo planifikon të ndryshoj të gjitha këto duke publikuar një plan të ri për të kthyer krenarin dhe lavdinë e humbur të Datongut që ishte një parajsë kulturore para 1600 vite. Mirëpo, ky rikthim ka kosto të lartë. ‘The Chinese Mayor’ nga Hao Zhou i shpërblyer me Special Jury Prize – Sundance 2015. Best Documentary Feature – RiverRun IFF2015. AFI Docs 2015. SIFF, Seattle 2015 – shfaqet në ora 22 në Kino në Lum.

Këto dhe shumë dokumentarë tjerë cilësor shfaqen sot nëpër tetë kinematë e DokuFest.

Skemën e plotë ditore e gjeni në http://dokufest.com/2015/program/interactive-schedule/

Biletat mund ti blini në DokuShop tek Shadervani në Prizren, me çmim prej 2 eurosh.

You might also like