DokuFest

Maniakat për DokuFest – E enjte, 13 gusht 2015

E enjtja nis me dokumentarin ‘Ministria e Memorieve’ që shfaqet në DokuKino në kuadër të kategorisë ‘international dox’. Fisnik Maxhuni sjell Sarajevën e dimrit, një natë, dhe dy djem që dëshmojnë ndryshimet që i sjell nata në një qytet të qetë. ‘Atlantis’ dhe ‘The Royal Road’ janë filmat që vazhdojnë në terminin e orës 12 pas ‘Ministry of Memories’.

Në të njëjtën kohë në Kino Klubi, nën regjinë e Tatiana Brandrups shfaqet dokumentari për rrugëtimin kinematografik të Naum Kleiman, njërin nga intelektualët më të njohur rus. Një dokumentar që kombinon imazhet nga filmat klasikë me intervistat në Moskën moderne.

Dokumentari i nominuar për Oskar, ‘Virunga’ shfaqet në ora 16 në Shtëpinë e Kulturës. ‘Virunga’ sjell pyjet e Kongos, më saktë Parkun Kombëtar Virunga që është njëri nga parqet më të pasura me diversitet të specieve shtazore.

Në ora 20, në Kino në Lum shfaqet tregimi për dy imigrantët somalez, Abdul dhe Hamza të strehuar në një shtëpi në malet e kufirit serbo-rumun. Regjisori Marko Grba Singh, kthehet për të vizituar dhe shfaqur në film atmosferën e këtyre maleve.

Kontinenti afrikan mbetet si temë e shfaqjeve edhe në ora 20 me filmin ‘Demokratët’ që shfaqet në Kino Kalaja. Në këtë dokumentar, regjisorja Camilla Nielsson sjell përvojat e saja nga tri vite të kaluara në rrethin më të ngushtë të njërit nga diktatorët më të egër të këtij shekulli, Robert Mugabes.

E për ata që kanë humbur shfaqjet premierë, në ora 22 në Kino Lumbardhi shfaqet ‘Directed by John Ford’, ndërsa në Kino në Lum, ‘’Kang e Defa’ e ‘SkaNdal’.

Këto dhe shumë dokumentarë tjerë cilësor shfaqen sot nëpër tetë kinematë e DokuFest.

Skemën e plotë ditore e gjeni në http://dokufest.com/2015/program/interactive-schedule/

Biletat mund ti blini në DokuShop tek Shadervani në Prizren, me çmim prej 2 eurosh.