Filma Recensime Filmash

A Man Called Ove (2016) – Recensim

a man called ove

Kinematografia skandinave më ka impresionuar gjithnjë. Si në gjithçka tjetër, edhe në film e televizion, në përgjithësi në kulturë, kanë një qasje ndryshe, një metodë tjetër të shtjellimit të temave, portretizimit të tyre para thjerrëzës së kamerës. Janë më ndryshe. Ndoshta ‘faji’ qëndron tek vikingët. Ndoshta edhe tek Ingmar Bergman.

Por, në këtë rast ‘faji’ qëndron tek Hannes Holm i cili bazuar në veprën e Fredrik Backman, me aktrimin e Rolf Lassgard sjell tregimin e Ove. E Ove është një plak në moshë të shtyrë, i mrrolur, i rreptë, dhe mbi të gjitha rigoroz dhe i disiplinuar në çdo sferë të jetës. Ai jeton në një lagje ku është pjesë e udhëheqjes, por tani gjërat nuk pi shkojnë për qejfi. Për këtë arsye ai ka vendosur të marr një vendim brutal. Nuk do të ju them as vendimin, pasi si zakonisht s’dëshiroj të zbuloj asnjë pjesë të filmave më të mirë. Por, mjafton të ju them që filmi kërcen nëpër skena në të tashmen dhe të kaluarën e Oves.

Pak zor po është të mbaj të fshehur detajet. Por, aktrimi i Rolf Lassgard është i përkryer. Ai arrin të shfaq një plak gërnjar që të kujton në masë të madhe dyshen Walter Mathau e Jack Lemon nga bashkëpunimet e tyre të vonshme, përfshirë edhe ‘Grumpy Old Men’. Një notë të madhe duhet ti japim edhe përgjegjësve të kastingut të cilët kanë arritur të bëjnë një përzgjedhje të mençur në Ove-n e rinisë. Edhe pjesa e kastit dytësor janë tejet të mirë në punën e tyre. Sidomos komshinjtë më të afërt të Ove-s. Ka edhe personazhe antipatike, ama këta veçse ndihmojnë tregimin që është goxha prekës dhe disi na lidhin edhe më shumë me Ove-n.

Nuk e kam lexuar librin, por do ta bëj posa të kem mundësinë e parë. kjo për arsye se më ka lënë goxha përshtypje si një univers i veçantë. Ndoshta veç atëherë mund të jepja një pasqyrë më të mirë se si kanë bërë transformimin në film personeli pas kamerave. Por, nga ajo që shohim para kamerave, është një punë shembullore. Nuk besoj që do të ketë ndonjë mangësi, edhe pse libri është më i gjerë me tregim.

Sidoqoftë, filmi si film është i përkryer. Nota personale: 5/5