Recensime Filmash

Lucy (2014) – Recensim

Universi i Star Wars ka kuptim. Është fantazi e George Lucasin, megjithatë është universi i thuktë, mirë i radhitur, i përpiluar, dhe goxha real. Ngjashëm ka edhe universe tjera simotra, duke mos kaluar hiq më larg se ai i Star Trek.

Por, në mungesë imagjinate, krijime kinematografike si këto dyja është vështirë të shfaqen së fundmi. ‘Lucy’ nuk ofron një univers krejt të ri si Star Wars e Star Trek – ndoshta sepse Luc Besson nuk ka kapacitete të tilla, e kjo vërehet më së miri nga marrëzirat që shfaqen për 84 minuta humbje kohe. ‘Lucy’ dhe Besson është një fakt shtesë që portretizon rrëshqitjen e imagjinatës së film-bërësve të sotëm, të cilët vetëm riciklojnë idetë e mira, derisa krijojnë gjëra të mjera. Është edhe një film i radhës që hulumton temën e përdorimit të trurit, duke kapur tema klishe sikur sasia e përdorimit të trurit, dhe çfarë do të ndodhte po të përdorej në 100%.

E sipas imagjinatës së dobët të Luc Besson (spoiler – për të mirën e lexuesit që të ju kursejmë kohën tuaj të vlefshme), të gjithë njerëzimi do të shkrihej, do të bëhej katran për tu futur në kompjuterë dhe për të sunduar pjesën tjetër të njerëzimit. Kur e sheh ‘Lucy’-n, e kupton që ‘Transcendence’ nuk ka ide të marra sa ky. E sheh se niveli i budallallëkut mund të bije edhe më poshtë.

Besson provon të përfshijë shkencën, aksionin, krimin, artet marciale dhe gjakosjen e gërditshme në ‘Lucy’. I vendos të gjitha, por rezulton me një dështim që nuk vjen për herë të parë nga Besson. Ai do të mbetet regjisor me vetëm një vepër të mirë, duke na dëshpëruar çdo herë e më shumë.

Scarlett Johansson vjen në rolin kryesor të një femre e cila pasi përdoret për të transferuar një substancë të re narkotike, përfiton efektet e saj pasi që ato i rrjedhin në trup për të ngritur nivelin e përdorimit të trurit. Dhe kështu Lucy nis të bëhet e mençur e më e mençur, derisa Besson provon ta bëj shikuesin më budalla e më budalla sa vazhdon filmi. Fundi është kulmi i marrëzisë derisa Lucy transformohet në diçka që vë bast se as Besson nuk e di se çfarë është, e në anën tjetër Morgan Freeman dhe mjekët tjerë e shikojnë anash gjithë këtë, një skenë që e fundos tërë filmin edhe ashtu jo shumë mbi nivelin e mbijetimit.

Scarlett Johansson bie edhe më poshtë se Kristen Stewart. Ofron një fytyrë të pandjenja, një performancë jo shumë të ndryshme nga shumicën e atyre që e kemi parë, si një aktore mesatare me shumë filma e pak sukses.

Filmi nuk është i gjatë, por është i neveritshëm për inteligjencën tuaj. Dikush e krahason me ‘Limitless’. Vetëm ky krahasim është nënçmim për këtë të fundit. I fundit është real, ka kuptim. ‘Lucy’ është bërlloG.

Film i dobët. Humbje kohe. Skenar i çoroditur, me imagjinatë të marrë, të pakuptimt. Një nënçmim për çdo inteligjencë racionale. Nota personale 1/5 pa marrë parasysh që Morgan Freeman është aty. Është mirë që të nis të zgjedh se në çfarë filma ia vlen të aktroj.

Luan Morina
Kritik filmi