Recensime Filmash

Loving (2016) – Recensim

 

Çka kishit bo për dashuri? A e kishti lshu shtetin me shku me jetu me kilometra larg? Nejse, dikush edhe shkon me kilometra larg ‘për me gjet’ dashuri tash! Por, jo Richard dhe Mildred Loving.

Filmi i Jeff Nichols sjell një tregim tjetër racizmi, një anë tjetër të kësaj dukurie që edhe sot po arrin të njollos historinë moderne të njerëzimit anembanë, jo veç SHBA-ve. Richard ka qenë një djalë i thjeshtë i një familjeje në Virginia, i bardhë. Ai është dashuruar në Mildred, një vajzë me racë të zezë. Si fryt i kësaj, të dy kanë vendosur të martohen dhe si rrjedhojë Mildred ka mbetur shtatzënë. Atëkohë, gjatë viteve 1960’ta në shtetin e Virginias dhe shumë vende tjera të Konfederatës ka qenë e ndaluar martesa ndër-racore. Një natë, policia hyn në shtëpinë e tyre dhe arreston të dytë. Gjykata tregohet e mëshirshme dhe i dënon me largim nga shteti i tyre. Të dy lënë familjet dhe shtëpitë e tyre për të qëndruar pranë të martuar, me mijëra kilometra larg vendlindjes.

Puna pas kamerave nga Jeff Nichols me karrierën e të cilit nuk jam shumë i njohur, është e realizuar shumë bukur. Filmi kap ngjarjet kryesore duke provuar mos të përqendrohet në ngjarje dytësore. Për më tepër disa prej ndodhive mbesin ndoshta të mangëta, por aspak të zbrazëta. Disa ngjarje mbesin jashtë kamerës dhe na mbetet neve si shikues të thurim zhvillimin e tyre në imagjinatën tonë. Është një lloj pavarësie që na ofron regjisori në këtë rast.

E derisa me punën e Joel Edgertonin ka shumë gjasa të jeni njohur më herët – Warrior, Black Mass, Exodus: Gods and Kings, e shumë filma tjerë, me Ruth Negga pos nëse keni shikuar shumë TV, vështirë ta keni parë diku. Edgerton sjell një rol më ndryshe, një njeri më ndryshe dhe ndoshta mund të keni pak vështirësi ta dalloni menjëherë se kush është. Më ka pëlqyer aktrimi i tij në sjelljen në jetë një njeri shumë të thjeshtë i cili nuk dëshiron gjë tjetër pos të jetoj i qetë me njeriun që do më së shumti. Një rol më viktimizues në jetë sjell Negga, diçka e kuptueshme për shkak të vet tregimit që shtjellohet. Por, që të dy si individualisht, si në dyshe janë të shkëlqyeshëm para kamerës.

Është një film i këndshëm, pozitiv, frymëzues. Diçka që do të na bëj të dimë vlerën e lirisë elementare, dhe vlerësimin e kësaj lirie. Film që sjell racizmin edhe në një formë tjetër, goxha bizare. Nota personale: 5/5