Libra

Librat për muajin mars – sugjerime nga “Maniakë t’leximit”

“Ka kaq shumë libra dhe kaq pak kohë” – ka thënë Frank Zappa. Prandaj, është e rëndësishme që t’i zgjedhim mirë librat që duam t’i lexojmë.
Së bashku me disa nga anëtarët e grupit “Maniakë t’leximt”, jemi munduar t’iu sjellim disa nga librat më të mirë që kemi lexuar kohët e fundit. Nëse jeni në dilemë se çfarë të lexoni gjatë muajit mars, ja disa sugjerime.

 

  1. “Fëmija i pestë” nga Doris Lessing
    shkruan Elion Kollçaku:

    Arsyeja kryesore se pse vendosa ta lexoj këtë libër, vjen po ashtu nga një tjetër libër, “31 intervista, me shkrimtarët e shekullit”, nga Rudina Xhunga, ku ajo kishte intervistuar shkrimtaren Doris Lessing, dhe këshilla e kësaj të fundit, ishte që nëse nisni të lexoni veprat e mia, filloni me “Fëmija i pestë”. E përfundova këtë libër, dhe është shumë i veçantë, duke qëndruar tek fakti se është shumë enigmatik. Dy personazhet kryesorë janë Davidi dhe Harieta, dhe dëshira e madhe e tyre është për një familje sa më të madhe. Dhe, kështu ndodh, e blejnë një shtëpi të madhe, lindin katër fëmijë, të mirë e të shëndetshëm, Lukën, Helenën, Xhenin dhe Polin. Gjithçka ndryshon, kur vjen në jetë një fëmijë “i pestë” i paplanifikuar. Pastaj, çdo gjë është enigmatike, një fëmijë sikur “alien”, me sytë e mëdhenj dhe me një shikim e botë krejt tjetër. Nga ky libër do të shihni sakrificat e një nëne, për një fëmijë që nuk e do askush, as babai i vet. Fatkeqësisht, do ta shihni se sa e vështirë është të arrihet lumturia familjare, e ndoshta edhe nuk ekziston. I’u mbetet juve për ta zbuluar.

 

  1. “1984” – George Orwell
    shkruan Artan Ramadani:

    Një prej librave më të mirë që është shkruajtur ndonjëherë. Këtë libër e pata filluar para një kohe, por për disa arsye, më është dashur ta ndërprej, me mendimin për ta rifilluar më vonë.  Arsyeja në rend të parë, për këtë shkrim, është ta shpreh madhështinë e tij, e pastaj, për t’i treguar të tjerëve që është një libër <absolut must-read>, meqë para disa dite e pash një postim ku dikush pyeste se a ia vlen.  Libri është i shkruar në vitin 1949,  mirëpo ngjarjet e romanit janë të vendosura në vitin 1984 në Londër, pjesë e Oqeanisë, një sipërfaqe e kontrolluar me dorë të hekurt nga “Partia” që udhëhiqet nga figura simbolike e Vëllait të Madh. Shteti nuk ofron asgjë pos regjim totalitar mbi popullin, dhe shkrimi, leximi, mendimi i lirë, dhe gjithçka tjetër që na bën të ndihemi të lirë, janë të ndaluara. Romani i cili fillon me një nga citatet më të njohura të letërsisë ndonjëherë “It was a bright cold day in April, and the clocks were striking thirteen”  vazhdon e bëhet më i mirë, atëherë kur fillojnë ta godasin dyshimet protagonistin, Winston Smith, në lidhje me mirëqënien e tij dhe popullit, që vazhdon të shtypet në çdo mënyrë të mundshme nga Partia. Ndoshta romani nuk shquhet aq për thellësinë e personazheve, por ka fituar respekt të madh në letërsi, për shkak se nuk ka moment që ti e lexon këtë roman, që nuk imagjinon se sa e tmerrshme do të ishte jetesa e tillë. Përmbajtja, stili, dhe disa nga konceptet e njohura të librit si “Vëllau i Madh”, “Teleekrani”, “Dhoma 101”, “mendimi i dyfishtë” etj, kanë hyrë në përdorim të gjerë qysh nga publikimi i librit. Arsyeja pse ky libër është i pavdekshëm, është sepse mesazhi i tij, është sa i thjeshtë, aq edhe sublim: Mendimet e gabuara, janë elemente të Lirisë! 2+2=5.


  1. “Profeti” nga Khalil Gibran
    shkruan Haris Haxhimehmeti:

    Profeti” nga Khalil Gibran është një libër me ese të shkurtëra, të cilat kanë të bëjnë me proceset e jetës, e veçmas ato spirtuale, ku në çdo kapitull (26 gjithsej) përshkruhen ndjenjat e ndryshme, dhe si kapitull të fundit,  e ka lënë  procesin e fundit në këtë botë, pra vdekjen. Autori në këtë libër ka përdorur edhe një stilistikë shumë të pasur, e cila është edhe një veçori që përdoret shumë nga autorët e Lindjes. E mira është që  te “Profeti”, autori i cili gjatë kohës sa ishte një kalimtar në një vend, u shpjegonte banorëve të atij vendit  për këto ndjenja, gjithmonë në rrafshin pozitiv, pra autori e shikon të mirën dhe të bukurën në çdo gjë që na rrethon. Kjo vërehet edhe në poezinë e tij, “Libani yt dhe Libani im” (e botuar po në këtë libër, përkthyer nga Shtëpia Botuese “Pema”), një poezi që nuk flet vetëm për Libanin, por mund të tërhiqet paralelisht gati për çdo shtet, e veçmas me rastin e Kosovës, ku bën një krahasim nga dy perspektiva shumë të ndryshme të Libanit, njëri që sheh gjendjen e mjerueshme ekonomike, sociale etj., dhe tjetri që sheh shpresë te të rinjtë e vendit, te bukuritë e atij vendi etj. Pra, një libër prej afro 100 faqesh, por që tregon shumë, dhe ka shumë gjëra që të bëjnë të mendosh për jetën në përgjithësi.
  2. “Gjuetari i balonave” nga Khaled Hosseini
    shkruan Flogerta Krypi:

    Nëse do e dija që kjo është dita e fundit e jetës sime, do të preja biletën e parë për në Berlin. Do të shtrihesha në stolin tim të preferuar në parkun Kreuzberg dhe do të lexoja librin “Gjuetari i balonave”. Do i kaloja orët e fundit të jetës sime duke qarë dhe duke lexuar pafund këtë libër derisa të përfundojë. Më pas do të shtrihesha e qetë dhe do të mbyllja sytë e lumtur që po iki nga kjo botë ku nuk më la askush të zgjedh nëse do doja të lindja njeri. E nëse do zgjohesha në një botë tjetër sërish njeri, mjafton që të ketë libra si ky për të qenë e lumtur se jam njeri. Në fund të fundit njerëzit shkruajnë libra si këto…

 

  1. “Intervistë me vetveten: retë dhe gurët” nga Petro Marko
    shkruan Drenushë Morina:

    “Çka janë kujtimet? – Jeta e jetuar me emocione, me të gjitha armët që e mbajnë të gjallë, me të gjitha normat dhe kanunet që ka krijuar kuvendi i shekujve.” Me këto fjalë të shkruara plot mjeshtëri dhe kuptim, autori e fillon rrëfimin e tij.
    Të intervistosh vetveten, ta pyesësh veten me ato pyetje që ndoshta nuk t’i kanë bërë të tjerët – tingëllon mbase e çuditshme, interesante. Por pikërisht në këtë libër autobiografik, autori ka intervistuar veten, duke i sjellë lexuesve ngjarje dhe detaje interesante nga jeta e tij. Libri është i ndarë në dy pjesë:
    1. Petro Marko plak interviston Petro Markon e ri (1977) dhe
    2. Petro Marko plak interviston Petro Markon plak (1991).
    Autori, në rolin e kryepersonazhit, nuk rrëfen vetëm për veten, por edhe për të tjerët, edhe për ngjarje që u lidhën ngushtë me jetën e tij, si mori pjesë në Luftën e Spanjës, apo edhe takimi i tij me shkrimtarin Ernest Hemingway.
    Ky libër është një tregim i gjallë për një autor që nuk jeton më. Një autori që dha një kontribut të çmuar, dhe që meriton të lexohen librat e tij, sidomos një libër ku ai rrëfen për vetveten, për ngjarjet që lanë më së shumti gjurmë në jetën e tij, për sakrificat e sfidat nëpër të cilat ka kaluar. E kush mund të gërmojë në kujtesën e një personi dhe t’i hedh ato kujtime në letër, më mirë se ai njeri që i ka përjetuar? Sidomos kur bëhet fjalë për një autor si Petro Marko. Një libër sa i shkruar bukur, aq edhe dhimbshëm… Një libër që nuk duhet humbur pa lexuar.

    / Maniakë t’leximit /