Librat e vitit 2015 – Lirim Jusufi

Maniakat e Leximit kete vit kemi pyetur pese nga lexuesit me aktiv ne rrjetin shoqeror Goodreads, per te listuar librat me te mire qe kane lexuar kete vit.
Gjate diteve ne vijim do te botojme keto renditje.
Sot, tre librat me te mire qe ka lexuar kete vit dhe nje permbledhje per ta na sjell, Lirim Jusufi.

Operation Mincemeat – Ben Macintyre

Për tre librat e vitit kam përzgjedhur dy librat e autorit tim të preferuar Ben Macintyre .
Kthehemi te libra. Lufta e Dytë Botërore nuk po shkonte mirë për Aletatët (SHBA, Britani e Madhe, Francë). Hitleri me shokë deri në vitin 1942 po shkelte gjithçka që dilte para tij.
Në vitin 1943 dy oficerë intelegjentë krijojnë një plan mashtrues që në të njëjtën kohë ishte e lehtë por edhe e komplikuar – Operation Mincemeat. Arsyeja? Për t’i mashtruar gjermanët se aleatët në tentimin e tyre të parë dhe të fundit do ta sulmojnë tokat e pushtuara nga nazistët jo nga Normandia e Francës (që ishte edhe plani i vertëtë që do të realizohej një vit më vonë) por nga Greqia.
Ata marrin një njeri të vdekur nga morgu dhe i japin idenditet të ri, atë të një admirali, e fusin në një aeroplan, dhe gjatë rrugës qëllimisht hedhin trupin në breg, për tu gjetur nga ndonjë peshkatar. Spanja dhe Portugalia që ishin asnjënëse gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte e tejngarkuar nga spiunët gjermanë dhe anglezë.
Anglezët shpresonin që trupi i pajetë i ‘admiralit’ të gjindet qëllimisht nga gjermanët sepse në xhepin e tij kishte dokumente që thonin se Gjemania do të sulmohet nga Mesdheu.
A do të arrihet kjo, cilat do të jenë problemet e shumta që do të shfaqen. A do të mashtrohet Hitleri?
Për ata që kanë dëshirë të lexojnë libra të spiunazhit kjo hin në atë kategorinë që nuk duhet të humbiset. E MREKULLUESHME!!!!

A SPY Among Friends: Kim Philby and the Great Betrayal – Ben Macintyre
“Një njeri me sekrete është një njeri me pushtet” – Aristoteli
Asnjëherë mos thuaj e njoh një njeri mirë. Ashtu mendoi edhe shoku i ngushtë i Kim Philby, Nick Elliott, por pas 35 viteve e kuptoi se kush ishte ai në të vërtetë.
Libri më i ri nga autori im i preferuar Ben Macintyre i cili mjeshtërisht sjell në pah jo për herë të parë por ndoshta në mënyrën më të kompletuar të mundshme për spiunin e dyfishtë Kim Philby i cili punonte në MI6 (Shërbimi Sekret i Britanisë) por që ishte zotuar kohë më parë të punonte për shërbimin sekret të Rusisë (NKVD) dhe pas Luftës së Dytë Botërore (KGB).
Lindur dhe rritur si anglez por ideali i tij komunist që e pranoi teksa studionte në Cambridge bëri që t’i bëjë ballë të gjitha vështirësive dhe stuhive që kalonin në zyrën e tij në Angli teksa barte informacione sekrete në shtetin rus. Mashtroi gratë e tij, shokët, kolegët dhe tek pas 35 viteve fytyra e tij e vërtetë iu pa nga kolegët e tij dhe nga shoku i tij i ngushtë Nick Elliott.
Shprehjet e tij të fytyrës dhe dinakëria e tij si para TV ashtu edhe para kolegëve të tij studiohet nga shumë agjenci botërore, se si një njeri duhet të mbajë sekrete pa u zbuluar nga tjerët.
Një skenar filmi por që bazohej totalisht në realitet mashtroi dy nga agjencitë më të mëdha në botë, atë të Britanisë dhe të Shteteve të Bashkuara për dekada me radhë.
Duke mos dëshiruar të zbulojë se si ai kuptohet se është spiun i dyfishtë, si e kupton këtë lajm shoku i tij i pandashëm nga MI6 Nick Elliott, çka ndodh me Kim Philbyn në fund ju sugjeroj ta lexoni këtë libër.
E bazuar në dokumentet e fshehta të MI5 (ndërkohë edhe turpi më i madh që i ka ndodhur Shërbimin Sekret Anglez deri më tani) që u bënë publike vite më vonë, autori në mënyrë brilante tregon dyanshmërinë e Philbyt, besnikërinë, besimin, ndërgjegjen dhe tradhtitë e tij.
Ata që janë të pasionuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë si dhe spiunazhit kjo duhet të lexohet patjetër dhe pastaj trilogjia tjetër e autorit Macintyre (Agent Zigzag, Operation Mincemeat dhe Double Cross).

The Hundred-Year-Old Man Who Climbed Out the Window and Disappeared – Jonas Jonasson
Libra e tretë favorit për vitin 2015 kam përzgjedhur librin e një shkrimtari suedez Jonas Jonasson për një njeri që në ditëlindjen e tij të 100-të ik nga shtëpia e pleqëve dhe nis një aventurë të re (jo të parën pasi që kuptojmë më vonë se jeta e tij ka qenë e mbushur me aventura).
Autori shumë mirë ndërlidh jetën e tij të tanishme me një ngjarje që mbërthen rrugës një grup të shokëve të tij që rastësisht bëhen pjesë e tregimit, një elefanti, një autobusi, një bandë hajdutësh si dhe policia të vënë pas tij.
Ndërsa rinia e tij ishte gjithçka vetëm jo e mërzitshme. Luftoi krahas gjeneralit Franco në Spanjë, ndihmoi në krijimin e bombës atomike në SHBA, ekspert i eksplozivit, i ndihmoi si SHBA ashtu edhe Rusisë për bombën atomike, u bë shok me vëllain e Ajnshtajnit, hëngri darkë me Stalinin (i tha pse nuk i hjek musteqet), Rusveltin, de Gaullin, Churchillin, shpëtoi gruan e tretë të Mao Ce Dungit, takoi Kim Il Sung (edhe djalin e tij), ose gjyshin dhe babain e Kim Jong Un të tanishëm, udhëtimi i tij në Himalaje, ishte i burgosur në Iran, i internuar në Siberi e shume ngjarje tjera.
Pra kjo novelë e mbushur me spiunë, polici, luftëra, takimet dhe shoqërimi i tij me presidentët botërorë, e plotë gjëra tjera (nëse nuk ju kam treguar të gjithën na falni). Në asnjë moment nuk do të ketë ndonjë kapitull ku ju do të mërzitëni me ndonjë ngjarje.
Një libër përplot aventurë që duhet lexuar në këto ditë të errëta dhe të ftohta dimërore. Shpresoj të ju kenë pëlqyer sadopak përshkrimi im rreth këtyre librave dhe të ju kenë bërë që ju t’i lexoni ato. Lexim të këndshëm!

You might also like