Libra

Librat e Vitit 2015 – Drenushe Morina

Maniakat e Leximit kete vit kemi pyetur pese nga lexuesit me aktiv ne rrjetin shoqeror Goodreads, per te listuar librat me te mire qe kane lexuar kete vit.
Gjate diteve ne vijim do te botojme keto renditje.
Sot, tre librat me te mire qe ka lexuar kete vit dhe nje permbledhje per ta na sjell, Drenushe Morina.

NJËMIJË DIEJ VEZULLUES – Khaled Hosseini

Një roman tronditës që në qendër ka jetën e dy vajzave: Miriamit dhe Lailas. Jetët e tyre ndërthuren përmes Rashidit, burri i tyre i cili i keqtrajton, dhe ato në vend të rivalitetit zgjedhin miqësinë, sepse e kuptojnë që të dyja janë viktimë e të njejtit kurth. Të detyruara të luftojnë për të drejtat e tyre në një vend si Afganistani, ato zgjedhin bashkimin, por lufta në vend do t’i shkatërrojë ëndrrat e tyre.
Në këtë roman autori na paraqet një situatë tronditëse: Miriami, jeta e së cilës ishte një tragjedi që prej vegjëlimit, dhe Lalila një vajzë e vuajtur, larg familjes. Të dyja kundër Rashidit, në luftë për jetën e tyre dhe foshnjës së Lailës.
Një roman që përcjell mesazhin se sa e madhe është sakrifica dhe dashuria e njerëzve mes vete, edhe nëse nuk kanë lidhje gjaku, se si tragjedia i bashkon njerëzit. Një roman që ia vlen ta lexoni.

NUMERO ZERO – Umberto Eco

Është romani më i ri i Eco-s, i cili trajton temën e gazetarisë, përkatësisht të gazetarisë së keqe.
Në këtë libër Eco shfaq para nesh një redaksi, gazetarët e së cilës punojnë për interesat e veta dhe të kryeredaktorit të tyre. Një redaksi e cila më shumë i jep rëndësi përgënjeshtrimeve e shantazhit, se sa informimit të mirëfilltë të publikut.
Përmes këtij romani, Eco na tregon punën e gazetarëve, sfidat, atë çka ndodh prapa mediave para se të dalë para publikut, si dhe pasojat që bartin. A e bëjnë gazetat lajmin, apo është lajmi ai që e bën gazetën? Çka fshihet pas zyrave të rekadsive dhe dosjeve që ata hulumtojnë?
Një roman interesant, të cilin ia vlen ta lexoni.

LABIRINTI I FSHEHTË – Luca Filippi

Është një roman i zhanrit Mister/Thriller. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Romë, ku ndodh një vrasje, dhe për ta hetuar, ngarkohen një farmacist, një murg dhe e bija e viktimës. Ata nisen për ta zbuluar vrasësin dhe arsyen e vrasjes, por ky hetim do t’i dërgojë drejt një zbulimi tjetër – një libër i koduar që përmban të fshehtën e një civilizimi të lashtë.
Përgjatë udhëtimit të personazheve në kërkim të sekretit, do të përballen me sfida, mistere, intriga, të cilat do t’iu bëjnë ta lexoni me një frymë. Nëse jeni adhurues të këtij zhanri, atëherë ky është një roman që ia vlen ta lexoni, do iu bëjë për vete që në faqet e para.